Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Arqipeshkvin Paul Richard Gallagher.
Duke evidentuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, por edhe ato shpirtërore midis komunitetit katolik shqiptar dhe Selisë së Shenjtë, presidenti Begaj përshëndeti vizitën Gallagher në Shqipëri dhe e konsideroi atë një konfirmim të këtyre marrëdhënieve.
Presidenti Begaj u ndal në mënyrë të veçantë në rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka luajtur dhe luan Selia e Shenjtë për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, Begaj ritheksoi kërkesën për njohjen nga ana e Shtetit të Vatikanit të Shtetit të Kosovës, njohje që do të shërbente si një mbështetje shumë e madhe për shtetin më të ri në Evropë.
Ai nënvizoi nevojën e shtimit të mbështetjes nga të gjithë aktorët e rëndësishëm, për Kosovën dhe qytetarët e saj, si dhe të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas një komunikate të Presidencës së Shqipërisë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek ndikimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor i agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë që ky rajon ka për stabilitetin e kontinentit Evropian, por jo vetëm./Kp