Live

Beqiri: Specialja do të duhej të aplikonte ligjin e ish-Jugosllavisë, për akuzat ndaj Mustafës

18:58 / 16 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Avokati i licencuar në Gjykatën Speciale, Mentor Beqiri, ka thënë se Gjykata Speciale, e cila sot dënoi me 26 vjet burgim ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafën,  nuk e kanë përdorur ligjin e adoptuar nga ish-Jugosllavia, i cili parasheh që për veprat për të cilat është akuzuar Salih Mustafa, dënimi maksimal është 15 vite burgim.

“Në kohën kur prokuroria pretendon se krimet janë kryer nga zoti Mustafa, është aplikuar ligji penal i ish-Jugosllavisë, në atë ligj është paraparë se dënimi maksimal, për veprat për të cilat është akuzuar Mustafa, ka qenë 15 vite, si dhe dënim kapital. Pas ardhjes së UNMIK-ut në Kosovë, ata kanë adoptuar si ligj të aplikueshëm, ligjin penal të ish-Jugosllavisë për territorin e Kosovës dhe kanë theksuar se hiqet dënimi kapital, i cili zëvendësohet me një dënim me 20 vite burgim. Pra, në atë kohë, ligji ka paraparë se një person mund të dënohet më një burgim maksimal prej 15 vitesh, ose si zëvendësim i dënimit kapital, 20 vite. Në të gjitha gjykimet e pasluftës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, qoftë në UNMIK, EULEX, apo në gjykatat vendore, është aplikuar ligji i ish-Jugosllavisë, me të drejtë shtrohet pyetja se pse Gjykata Speciale nuk është duke e aplikuar këtë ligj”, tha avokati Beqiri në Info Magazine të Klan Kosova.

Beqiri tha se Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe si e tillë duhet t’i ndjekë ligjet që aplikohen nga gjykatat e tjera në Kosovë

“Pres që mbrojtja e zotit Mustafa në shkallën e dytë të ngrisë edhe këtë çështje sa i përket lartësisë së dënimit”, deklaroi ai.

Beqiri tha se pret nga Apeli që rasti të kthehet në rigjykim.

“Pres që shkalla e dytë ta kthejë këtë çështje në rigjykim, dhe këtë aktgjykim ta anulojë, për shkak se vetë dënimi është i lartë, por edhe kam dyshime në gjetje të Gjykatës, se a ka pasur apo jo bazë për të vërtetuar përgjegjësinë e zotit Mustafa lidhur me veprat penale që iu janë ngarkuar“.

Shpërndaje në

U Kopjua