Live

Berisha akuza ndaj ambasadorit britanik në Tiranë: Dhe ai është një lloj McGonigal-i

19:40 / 18 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ish-kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim të zhvilluar këtë të shtunë me demokratët në Londër, ka vijuar akuzat e ashpra ndaj trupës diplomatike në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se ambasadorët janë korruptuar nga kryeministri Edi Rama me synimin e vetëm për të shkatërruar opozitën shqiptare si dhe për ta shpallur atë non grata.

Pasi përsëriti pretendimet ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, Berisha lëshoi akuza edhe ndaj diplomatit britanik, Alstair King Smith, të cilin e krahasoi me ish-zyrtarin e FBI, McGonigal.

“Po në këtë shkallë korrupsioni dhe qëndrimi ndaj opozitës është edhe ambasadorja Yuri Kim, e korruptuar pa asnjë dyshim nga Edi Rama, po në atë shkallë që është i korruptuar McGonigal. Korrupsionin e saj e kam denoncuar dhe e denoncoj jo me pasion, me keqardhje të thellë, se nuk më vjen mirë që unë të atakoj në mënyrë të tillë, përfaqësuesin e partnerit tonë strategjik, vendit që ne shqiptarët i detyrohemi më shumë se kujtdo tjetër lirinë tonë. Por po nga të njëjtat pozita, me të njëjtën mënyrë veproi edhe ambasadori  i Britanisë së Madhe, Alstair King Smith. Edhe ky është një lloj McGonigali, i cili ka mashtruar qeverinë e madhërisë së tij në çdo gjë që i ka dërguar për Sali Berishën”, deklaroi Berisha.

Shpërndaje në

U Kopjua