Shkruan: Besa Ismaili (Ish deputete e PDK-së)
*Partitë opozitare kanë kornizën e tyre të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë. Porse, deri në çfarë mase, në cilat kushte dhe në cilat mënyra partitë opozitare mund të konsiderohen se veprojnë me përgjegjësi, ekzistojnë disa teori për të cilat kanë shkruar dhe folur politikologë të shumë botëror.
Sjelljet e partive opozitare testohen përmes aktiviteteve të politikëbërjes dhe sjelljeve politike karshi sistemit, aparatit shtetëror. Kësisoji bëhet ndërthurja ndërmjet përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë, në këtë rast , e opozitës.
Veglat e opozitarizmit në një sistem parlamentar, si edhe në rastin tonë të Kosovës, janë ato të komisioneve parlamentare, mocioneve, rezolutave dhe pyetjeve në seancat parlamentare, komisionet hetimore, etj. Vegla këto që janë në kornizën e përgjegjësisë së opozitës për të mbajtur qeveritë përgjegjëse për politikat e miratuara dhe zbatimin e tyre. Nëse opozita nuk arrin t’i bëjë të gjitha këto, qytetarët kanë të drejtë në akuzat e tyre për opozitë të kapur, apo të dobët, apo joefektive.
Shikuar nga këto rregulla, opozitarizmi i PDK-së, si partia më e madhe opozitare në vend, është opozitarizëm plotësisht i përgjegjshëm.
**Në diskursin publik në Kosovë, dëgjojmë shumë shpesh diskutime për opozitën. Diskutimet për opozitën do të ishin diskutime të shëndetshme për një demokraci, sikur diskutimet për pozitën të ndodhnin në sasi dhe në cilësi, më shumë.
Fakti, që për opozitën në Kosovën flitet më shumë dhe më fortë sesa për pushtetin, është një gjë potencialisht e rrezikshme.
***Historia botërore e zhvillimeve politike tregon që kur flitet më shumë për opozitën sesa për pushtetin, në veçanti pushtetet e mëdha, për shumicat e mëdha në pushtet, rrjedhojë e këtyre diskutimeve kanë qenë gojëmbyllja, shuarja dhe persekutimi i opozitës, si metodë për shtrirje të diktaturave dhe sistemeve represive politike.
Në vitin 1933, me të ardhur Nazistët në pushtet,pasi që kishin fituar 43.9% në zgjedhje, gjëa e parë që filluan të bëjnë, ishte demonizimi i opozitës (social demokratëve dhe komunistëve) dhe kornizimi i tyre si armiq të vendit, e keqja e madhe. Edhe komunistët, me të ardhur në pushtet, qoftë në disa vende në perëndim dhe në bllokun e lindjes, pjesë e së cilës ishte edhe rajoni ynë, veçuan opozitën për t’a heshtur fillimisht dhe për t’ë persekutuar më pas gjithë zërat antikomunistë, si ‘armiq të brendshëm’. Historia politike poashtu na mëson që në sistemet monarkike, persekutimet ndaj zërave opozitar shënuan historitë më të tmerrshme të torturës, linçimit dhe krimeve.
Ajo që dua të tregoj është që bërja gisht drejt opozitës nuk është një gjë e shendetshme për shoqërinë dhe shtetin, në asnjë rrethanë dhe për asnjë qëllim, përveç nëse opozita ‘miqësohet’ së tepërmi deri në pakurriz me pushtetin dhe pushteti e begenisë dhe lavdëron opozitën. Vetëm atëherë, kritika e shoqërisë për opozitën bëhet jo vetëm e nevojshme por edhe e domosdoshme.
****Që nga ardhja në pushtet e LVV, jam munduar që të kuptoj pse tërë ky obsesion kolektiv me opozitën dhe opozitarizmën në Kosovë, dhe jo me pushtetin, me qeverinë.
Kam ardhur në përfundim që forcat e pushtetit, kanë përdorur vegla politike siç janë retorika dhe strategjitë retorike, të thjeshta dhe të sofistikura, për t’a heshtur kritikën dhe për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve.
Togfjalëshi ’20 vite e shkatërruat vendin’, ‘ju nuk keni të drejtë të flisni’, ‘populli ju ka dënuar dhe ju heshtni’, ‘sovrani vendosi që ne të vendosim’, etj. janë vetëm disa nga ato vegla, që në mënyrë efektive pushteti i Albin Kurtit i ka aplikuar në Kosovë. I kemi dëgjuar në parlament, në TV debate, në shoqëri civile, në media, kudo. Fakti që ne kemi një pushtet të madh dhe sërish flasim më shumë për opozitën, flet për pushtetin më shumë sesa për opozitën. Flet për ndikimin e fuqishëm që pushteti i Albin Kurtit ka në çdo sferë shoqërore tek ne.Sepse normalisht, pushteteve të mëdha u bëhen kritika të mëdha. Është fuqia e pushtetit të madh që shoqërinë e bën të flas për më të vegjëlit, respektivisht për opozitën në këtë rast.
Në fillim, këto retorika të pushtetit përdoreshin edhe në media dhe diskursin publik. Dhe fillimisht ishin shumë të fuqishme, sepse opozita në Kosovë mund të përballej me pushtetin, sado i madh që u bë ai, por nuk ia dilte dot me të gjithë akterët tjerë në shoqëri,përfshirë edhe ata medial, të cilët ishin të kapluar nga një eufori joracionale dhe edhe kur ftonin zëra opozitarë në studio televizive ua mbyllnin gojën me narrativa të ngjashme me të pushtetit.
Por ky pushtet shpejt shtriu këmbët edhe nëpër media, sindikata dhe shoqëri civile, për të shkelur mbi secilin zë kundërshtar. Rreziku për lirinë e shprehjes dhe integritetin e kritikës u identifikua tashmë dhe pati reagime për t’u lavdëruar.
Por ajo çfarë zuri vend si narrativë ishte sërish një fajësim i opozitës, një tjetër arsyetim i formuluar pak më ndryshe karshi opozitës. Sot, opozita fajësohet për pushtetin e fortë të qeverisë dhe pse opozita nuk po arrinë mjaftueshëm të korrigjojë qeverinë Kurti, apo zbusë tiraninë e pushtetit që ka, për të cilën qeveri, ka një pajtim masiv tashmë që vendin e ka katandisur dhe çuar në një orientim të gabuar.
Me një fjalë, opozita duhet, të bëj jo vetëm punën e saj, por edhe të marrë përsipër kërkimin e llogarisë nga qeveria për të gjithë. Opozita duhet të ‘çlirojë’ gryken e frymës së lirë që e ka ngushtuar pushteti në hapësirën publike në Kosovë. Dhe pikërisht këtu zë fill zhgënjimi me opozitën dhe opozitëbërjen në Kosovë. Qartazi, ka një mospërputhje mes përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë që ka opozita dhe pritshmërive që janë zhvilluar në ndërkohë.
Përgjegjësitë e opozitës janë ligjore dhe legjitime, por pritshmëritë mund të jenë legjitime por jo edhe të përgjegjshme apo të ligjshme çdoherë.
Si përfundim:
Nuk ka vetëm një akter të vetëm që mirëmbanë demokracinë parlamentare në Kosovë. Ai nuk është as vetëm partitë opozitare, as vetëm mediet, as vetëm aktivistët qytetarë. Balancet dhe kontrollet janë përgjegjësi e të gjithë akterëve, institucional dhe joinstitucional. Vetëm duke qenë të përgjegjshëm, si qytetarë dhe si subjekte politike, të gjithë pa dallim, mund të sigurohemi që partia dominuese nuk mund të fitojë sërish pushtet përkundër dështimeve masive në qeverisje dhe dëmeve të pariparueshme të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.