Live

Kujt i pengojnë simbolet e Kosovës në Stadiumin Air Albania?

09:49 / 24 Nëntor 2023

Nga Kosova Live

Shkruan: Naim Malaj – Ish-Ambasador i Kosovës në Zvicër për periudhën 2008-2015


Drejtuar Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Zotit Armend Duka,(në kopje, po
deshi, ta lexojë edhe ministri Taulant Balla).

I nderuar President Duka,
Shqipëria u kualifikua për Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, një lajm që i gëzoi të
gjithë shqiptarët kudo në botë.. Me plot të drejtë ndeshja kundër Ishujve Faroe pritej të
ishte një festë e madhe. Nuk doja ta mungoja dhe u nisa nga Gjeneva për në Tiranë.
Duhet thënë, se kur ka ndeshje përfaqësuesja shqiptare, Tirana ndodhet në një shtet-
rrethim të plotë.

Stadiumi Air Albania, duhet të jetë i vetmi në Evropë, që për të hyrë në të, duhet të kalosh
nga dhjetëra kontrolle (pa ekzagjeruar) trupore që ushtrohen nga policia.
Të kontrollon njëri, dhe një hap mbrapa të pret polici tjetër (sikur nuk i besojnë njëri tjetrit).
Të krijohet përshtypja që po shkon në një betejë luftarake e jo në një ngjarje sportive. Këtij
kontrolli (tribuna V201) iu nënshtrova pa asnjë rezistencë edhe unë.
Dhe kur po kaloja policin e shtatë që po më kontrollonte, ndodhi ajo që nuk e prisja.
Syrit shqiponjë të policit nuk i shpëtoi se unë po mbaja një shallë i kuq e zi me shqiponjë dhe
mbishkrimin “Kosova”.

Pa asnjë hezitim më kërkoi që ta hiqja, sepse kjo nuk lejohej. I shokuar e pyeta cili ishte
problemi ? “Nuk lejohet sepse shkruan Kosova, nuk lejohet Kosova, kupton… Nuk po ju
besoja syve e veshëve të mi… ndodhesha në kryeqyetin e një shteti fqinj apo në Tiranë ?!
Polici shqiptar në mes të Tiranës, 15 vjet pas pavarësisë së Kosovës, po thoshte se Kosova
ishte element i padëshiruar në ndeshjet e perfaqësueses shqiptare ,pavarësisht faktit se më
shumë se gjysma e lojtarëve të saj vijnë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare.
Pavarësisht faktit, se tifozët më të flaktë janë nga Kosova. Pavarësisht faktit se në stadium
brohoritet « Kosova është zemra e shqiptarisë ».

Dhe kjo, nuk ishte një teke apo tejkalim kompetence nga ana e një polici të izoluar. Jo, pas
një debati dhe ngritje zë zërit, policët, ai i teti dhe i nënti që po prisnin dy hapa tutje të më
kontrollonin, ndërhynë duke thënë, jo, jo nuk lejohet Kosova…. Insistimi im bëri që të
pyesnin shefin i cili e vulosi qëndrimin e policëve : Jo, urdhër nga lart, nuk lejohet se
përmban mbishkrimin Kosova ?!

Duhej ta vendosja shallin « armiqësor » në një kënd dhe mund ta rimerrja pas ndeshjes, por
jo në stadium… Shume e qartë, urdhër nga lart : Nga kush zoti President ? Nga kush Zoti
Ministër ? (nëse vazhdimisht po më lexoni në kopje)​
Për të qenë ironia më e madhe kur po hyja në stadium, po jepej kënga « Marshi UÇK-së » e
pastaj ” Thërret Prizreni mori Shkodër”. Hipokrizi, demagogji? Të dyja bashkë?
Brenda në stadium, nga shikues tjerë nga Kosova mësova se policia shqiptare kishte
konfiskuar me sukses një element tjetër të rrezikshëm « armiqësor : Flamurin e Kosovës.
E po, i lumtë policisë së Shtetit, vërtet syrin si shqiponjë, nuk i shpëton asgjë. Shpresoj që të
shpërblehen për shmangien një « provokacije » të sofistikuar tënga ana (ar)miqve kosovarë
(tamam sikur ajo historia e dkurshme, me vëllezër kinezë dhe miq kosovarë ? Vetëm se tani
nuk e di e di me kë janë « zëvendësuar » vëllezërit kinezë ?

Të më falni për ironinë zoti President, por kjo histori është për të qarë e qeshë … veprime të
tilla të policisë shqiptare jo vetëm që janë absurde por ato rikujtojnë, tek shqiptarët e
Kosovës, vitet e vështira të ndalimit, persekutimit, keqtrajtimit dhe burgosjes për ngjyrat kuq
e zi dhe flamurin me shkabën dy krenare. Nuk kemi nevojë që të na i rikujtoni këtë histori të
errët, sidomos tani në Tiranë.

Por për një gjë të jeni të bindur, përkundër marrëzirave të tilla (në fakt, nuk janë marrëzira,
po ide të fjetura të rrezikshme për çështjen shqiptare), NE e duam Shqipërinë, këtë nuk
mund të na e ndalojë askush, as nga Lart as nga poshtë.. Do e përkrahim përfaqësuesen saj
edhe në Gjermani. Atje, me Himn për Berlin do te jemi NJË, si një Shqipëri Etnike, me
flamur e shall kuq e zi e edhe me flamur të Kosovës. Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, uroj që përfaqësuesja shqiptare të na bëjë krenarë edhe në Gjermani.

Me nderime
Naim Malaj,
Ambasador i Kosovës në Zvicër për periudhën 2008-2015

P.S.

Për dijeninë tuaj, në cilësinë e ambasadorit, në shtator 2012 ju kam takuar në Lucern të
Zvicrës kur po luhej ndeshja Zvicër-Shqipëri në të cilën pesë lojtarë të përfaqësueses
zvicrane ishin shqiptarë ndërsa pjesa dërmuese e stadiumit e mbushur me tifozë kosovarë.
Ndër të tjera, kemi biseduar për përfshirjen në përfaqësuesen shqiptare të një futbollisiti
kosovar që luante në Zvicër, i cili sot e kësaj dite, mbron ngjyrat e « shallit » kuq e zi.

Shpërndaje në

U Kopjua