Live

Beteja për Ligjin e Pagave, do të përfundojë në kushtetuese?

17:22 / 06 Janar 2023

Nga Kosova Live

nga Kosova Live

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka dekretuar Ligjin e Pagave për Sektorin Publik. Ky Ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 22 dhjetor të vitit të kaluar, ligj ky që parasheh që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshinë parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në këtë sektor.

Sot, Instituti i Kosovës për Drejtësi iu drejtua Avokatit të Popullit, në mënyrë që ky institucion pastaj t’i drejtohet kushtetueses për ta rrëzuar Ligjin e Pagave, i cili në pohimet e IKD-së, nuk garanton barazinë. Për kosovalive.net, zyrtarë nga kabineti i Avokatit të Popullit, e konfirmuan lajmin se e pranuan kërkesën e IKD-së.

“Menjëherë në procedure të rregullt ligjore, do ta trajtojmë materien e kërkesës së IKD-së. Afati për trajtimin e saj sipas ligjit, është gjashtë muaj. Kjo mund të kryhet edhe më herët nga ana e Avokatit të Popullit, por ligji e thotë, që një kërkese i jep hapësirë kohe atyre që ta trajtojnë deri në gjashtë muaj”, kanë deklaruar zyrtarë nga kabineti Avokatit të Popullit.

Ndërsa, sipas Gzim Shalës, nga IKD-ja, Instituti është në pritje që Avokati i Popullit të reagoj dhe pas vlerësimit, Gjykata Kushtetuese t’a shfuqizojë këtë ligj.

“Inistituti i Kosovës për Drejtësi në fund të muajit të kaluar ka publikuar një analizë sa i përket projektligjit për paga, ku ka evidentuar të gjitha problemet ligjore dhe kushtetuese për projektligjin për paga. Kjo analizë i’u është dërguar deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët fatkeqësisht nuk kanë përfillur këto rekomandime dhe është miratuar më pas është dekretuar Ligji. Për këtë arsye në këtë situatë Instituti i Kosovës për Drejtësi është drejtuar institucionit të avokatit të popullit me kërkesë që ligjin ta procedojë për vlerësim në gjykatën kushtetuese të Kosovës. Në presim që avokati i popullit të reagoj në këtë situatë në drejtim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë në një prej ligjeve më të rëndësishme që është ligji për pagat dhe rastin ta procedojë në gjykatën kushtetuese. Pas vlerësimit mund të vendos që të shfuqizojë vetëm një pjesë të ligjit për paga apo edhe të vendos ta shfuqizojë ligjin në tërësi nëse gjen se në tërësinë e tij se ligji është kundër kushtetues”, pohoi ai. 

Shqetësimin ky Institut, Shala tha se e ka parë edhe mos-përcaktimin e vlerës monetare të koeficienteve tek nëpunësit e sektorit publik.

“Ligji siç gjen IKD ka mungesa të theksuara kushtetuese nisur nga fakti se mungon përcaktimi i vlerës monetare të koeficientit duke cenuar kështu aspektin e para shikueshmërisë se ligjit dhe rrjedhimisht parimin e sigurisë juridike. Po ashtu ka një tendencë për cenim të pavarësisë funksionale të sistemit të drejtësisë dhe kjo në dy drejtime fillimisht të procedurat që duhet ndjekur rastin e ndryshimit organo gramit apo krijimin e pozitave të reja brenda sistemit të drejtësisë. Po ashtu në kuptim të tendencës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në disa raste të tjera Instituti i Kosovës për drejtësi ka gjetur edhe trajtim të pabarabartë nëpunësve publik duke shkelur kështu nenin 24 të kushtetueses së Republikës së Kosovës për të gjitha këto arsye IKD i është drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit me kërkesë që rastin ta procedojë në gjykatën kushtetuese”, tha ai.

E në rastin konkret, pas trajtimit të kërkesës së IKD-së, Avokati i Popullit, Naim Qelaj e ka në diskrecionin e tij që të vlerësojë nëse lënda ka fakte që ky institucion t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.  /Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua