Live

Betohet në Presidencë gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Peci

16:00 / 16 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Gjyqtari Enver Peci sot ka dhënë betimin para Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe në prezencë të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Cakaj, njoftoi Presidenca e Kosovës, raporton  gazeta online Reporteri.net.

“Presidentja Osmani e ka uruar z.Peci për angazhimin e mëtejmë në Kushtetuese dhe ka potencuar rëndësinë e integritetit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

“Kurse gjyqtari Peci është betuar se do t`i qëndroj besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do t`i respektoj rregullat e etikës profesionale”, përfundon njoftimi.

Me 66 vota për Kuvendi i Kosovës pati zgjedhur Enver Pecin për gjyqëtar në Gjykatën Kushtetuese më 24 nëntor, pati raportuar gazeta online Reporteri.net.

Peci paraprakisht mbante postin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Biografia e Enver Pecit:

Në bazë të biografisë së tij në uebsajtin zyrtar të Gjykatës Supreme të Kosovës ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1983. Prej vitit 1987 e deri në vitin 1992, punoi si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, kurse prej vitit 1993 deri në vitin 2000, punoi si avokat.

Përsëri, prej vitit 2000 deri në vitin 2002, punoi si gjyqtar në të njëjtën gjykatë. Pas kësaj periudhe, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, ku punoi deri në vitin 2010.

Që nga viti 2004, është trajner në Institutin Gjyqësor të Kosovës. Në shkurt të vitit 2010, u emërua gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe kryesues në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Më 8 mars 2016 e dorëzoi detyrën e kryesuesit te Nehat Idrizi, kryesues i zgjedhur.

Nga marsi i vitit 2016 deri më 15 shtator 2017 ka punuar gjyqtar në Gjykatë Supreme, ndërkaq me 15 shtator u dekretua nga presidenti i vendit – kryetar i gjykatës. Ky dekret vjen pas propozimit nga Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGjK), për kryetar të Gjykatës Supreme, gjyqtarin Enver Peci, i cili u zgjodh kryetar me shumicë të votave të anëtarëve të KGjK-së,  në mbledhjen e datës 9 gusht 2017, me mandat shtatë vjeçar.

Shpërndaje në

U Kopjua