Live

Biden viziton kufirin me Meksikën mes thellimit të krizës së migrantëve

19:35 / 08 Janar 2023

Nga Kosova Live

Presidenti Joe Biden shkon sot në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, e para vizitë, që nga marrja e detyrës në Shtëpinë e Bardhë, rreth dy vjet më parë.

Vizita në El Paso të Teksasit vjen ndërsa Presidenti Biden njoftoi një plan të ri që ka si objektiv krizën e migrantëve në kufirin amerikan.

Vizita e Presidentit Joe Biden në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës vjen mes shtimit të trysnisë nga ligjvënësit republikanë lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar kriza e migrantëve, e cila po thellohet edhe më tej.

Përpara vizitës në El Paso të Teksasit, Presidenti Biden njoftoi të enjten një plan të ri që synon të ngadalësojë prurjet e migrantëve. Rreth 200, 000 migrantë futen çdo muaj në kufirin jugor amerikan.

“E di që është një çështje e ndërlikuar dhe nuk dua të pretendoj se kjo është një gjë e lehtë për t’u trajtuar”, tha Presidenti Biden lidhur me ata që përpiqen të kalojnë ilegalisht kufirin dhe të kërkojnë azil nga Kuba, Nikaragua, Haiti dhe Venezuela.

“Mos hajdeni në kufi. Qëndroni atje ku jeni dhe aplikoni ligjërisht prej andej”, ishte thirrja e Presidentit Biden drejtuar migrantëve. /Euronews albania

Shpërndaje në

U Kopjua