Live

BIK-u uron besimtarët për Kurban Bajramin

17:22 / 10 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Besimtarët myslimanë në krejt botën nesër festojnë festën e shenjtë Kurban Bajramit. Me këtë rast zëvendëskryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Reshat Mexhiti, uroi të gjithë besimtarët islamë në Kosovë duke bërë thirrje që të jenë më solidarë me njëri-tjetrin.

Ai tha se njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë, për një shoqëri të shëndoshë dhe për një unitet dhe vëllazëri të mirëfilltë. Mixhiti theksoi se festa e Kurban Bajramit reflekton mënyrën më të mirë për mësimet hyjnore për barazi, drejtësi, unitet, solidaritet, mirësi e sakrificë .

Duke u lutur që haxhilerëve nga trevat tona t’iu pranohet haxhi, Mexhidi tha se besimtarët që janë në Mekë shprehin mënyrën më të mirë për solidaritet e barazi.

Ai bëri thirrje që në këtë ditë feste të solidarizohemi me ata që kanë nevojë duke shtuar se njerëzimi duhet të kultivojë vlera për një jetë më të mirë dhe për një shoqëri të shëndoshë.

Ndryshe, dita e parë e festës së Kurban Bajramit është nesër. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës kushtuar kësaj feste mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi fillon në ora 4:55, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbaj Dr. Sadat Islami, ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Namazi i Kurban Bajramit falet në ora 06:15 të cilit do t’i prijë Jakup ef. Çunaku, drejtor i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, ndërsa hytben apo mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë zëvendëskryetari i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi.

Shpërndaje në

U Kopjua