Komuna e Mitrovicës, Skenderajt, Pejës dhe Istogut pësuan dëme të konsiderueshme materiale si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut përgjatë së enjtes. Mirëpo, një gjë e tillë nuk iu la fort përshtypje ministrave nga tabori i Lëvizjes Vetëvendosje.
Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Skenderajt, pas vërshimeve, shpallën të dyja gjendje të jashtëzakonshme, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, ministrat e Kurtit zgjodhën heshtjen.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në rrjetet sociale u deklarua për çështje të targave, mirëpo nuk u pa nëpër terren.
“Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë nuk do të lejohen të hyjnë a të veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo riregjistrimin e tyre”, deklaroi ai në rrjetet sociale.
Ministria që udhëheq ai lëshoi një njoftim nëpër rrjetet sociale se “ka ngritur gatishmërinë shtetërore” me rastin e vërshimeve.
“Sot që nga orët e para të ditës kanë filluar reshjet atmosferike të shiut, me ç’rast në Rajonin e Mitrovicës dhe Pejës ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe ka pasur vërshime të shpejta. Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së në koordinim me IHMK-në ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat”, u tha në njoftimin e MPB-së.
Reagim veç nga rrjetet sociale u pa edhe nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili njoftoi se FSK-ja kanë dalë në terren në zonat e prekura nga shiu.
“Për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e vërshimeve pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë në terren duke u ofruar gjithë ndihmën e nevojshme autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë në Skënderaj, Mitrovicë e Istog. Jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave në gatishmëri për tē vepruar në çdo kohë”, deklaroi ai.
Pas dëmeve të shkaktuara dikur vonë Qeveria e Kosovës ka reaguar, duke bërë të ditur për ngritje të gatishmërisë nga ana e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
“Meqenëse, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”, u tha ndër të tjera në njoftim të qeverisë.
Lidhur me situatën e jashtëzakonshme nuk është thënë asnjë fjalë as nga krerët shtetërorë. Postimi i fundit i Kurtit nëpër rrjetet sociale është lidhur me takimet e tij në Davos të Zvicrës. Presidentja Osmani përpara dy orësh është parë duke i uruar suksese në rrugëtime të mëtejshme ish-kryeministres së Zelandës së Re, e cila dha dorëheqje nga posti sot. /Demokracia.com/