Një ish-komandant i grupit mercenar rus Wagner, i cili kohët e fundit u arratis në Norvegji, është ndaluar nga policia, tha një zyrtar të hënën. Ndërkohë, një grup rus i të drejtave të njeriut tha se ish-mercenarit i është komunikuar deportimi drejt Rusisë.
“Ai është ndaluar … dhe ne po shqyrtojmë nëse do të kërkojmë vendimin e një gjykate për mbajtjen e tij në burg”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters përfaqësuesja ligjore e policisë, Line Isaksen, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Andrei Medvedev ka qenë komandant skuadre në grupin mercenar Wagner i cili po lufton për Rusinë në konfliktin në Ukrainë.
Ai u fut në Norvegji duke kaluar kufirin me Rusinë ndërsa është shprehur se i rrezikohet jeta pasi ka qenë dëshmitar i vrasjeve dhe keqtrajtimeve të të burgosurve rusë që luftonin kundër Ukrainës në emër të grupit Wagner.
Gulagu.net, një grup rus që bën fushatë për të drejtat e të burgosurve dhe ka qenë në kontakt me rusin Medvedev, tha se ai ishte ndalur të dielën nga forcat e rendit dhe po dërgohet në një qendër paraburgimi dhe do të dëbohej.
Autoritetet norvegjeze nuk kanë konfirmuar ndonjë plan për dëbimin e tij, ndërsa në kohën e këtij raportimi policia nuk ishte në dispozion për të komentuar.
Grupi rus i të drejtave të njeriut tha se nëse zoti Medvedev kthehet në Rusi, ai do të përballet me “vrasje brutale dhe vdekje” për akuzat ndaj grupit Wagner.
“Ne nuk po e fshijmë të kaluarën e Medvedev-it. Ai ka bërë shumë gjëra të këqija në jetën e tij”, tha grupi i të drejtave.
“Por ai e ka parë dritën, e ka kuptuar dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me botën, me hetimin ndërkombëtar dhe autoritetet norvegjeze. Ai dëshiron të jetojë dhe dëshmojë kundër Wagner-it dhe themeluesit Yevgeny Prigozhin”, shtoi grupi rus i të drejtave të njeriut.
Andrei Medvedev është jetim, i cili ka shërbyer në ushtrinë ruse dhe ka bërë burg përpara se të lidhte një kontratë katër-mujore me grupin Wagner korrikun e vitit të kaluar. Ai tha se Wagner e kishte zgjatur vazhdimisht kontratën pa pëlqimin e tij.
Ai ka thënë se e kaloi kufirin ruso-norvegjez të mbuluar nga bora në Rrethin Arktik duke kapërcyer telat me gjemba pasi iu shmang një patrulle me qen kufiri./VOA