Live

Burbuqe Hana nuk ishte më e vlerësuara nga britanikët për pozitën Kryeshefe Ekzekutive e Telekomit

11:38 / 08 Dhjetor 2022

Nga Denis Fana

Telekomi i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot Bordi i Drejtorëve ka zgjedhur Burbuqe Hanën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës me mandat tre vjeçar.

Hana siç njofton Telekomi kishte qenë ne listën e ngushtë për intervistim.

Procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit u bë nga bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës në bashkëpunim me kompaninë britanike BDO, e kontraktuar nga Ambasada britanike në Kosovë.

Megjithatë, sipas kompanisë britanike, Burbuqe Hana nuk ka qenë e emërueshme bazuar në vlerësimin e tyre.

Njoftimi i plotë i Telekomit:

Me datën 23 dhe 24 nëntor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim, për pozitën Kryeshef Ekzekutiv, në mesin e 18 aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim pesë (5) kandidatë.

Me datën 05 dhe 06 dhjetor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të TK Sh.A.

Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e Zyrtarëve të Lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku znj. Burbuqe Hana është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë.

Bordi i Drejtorëve i TK Sh.A. konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e punës Kryeshef Ekzekutiv ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative.

Komisioni Vlerësues rekomandon të rishpallet konkursi për ZKFTH

Ndërsa për pozitën Zyrtar Kryesor i Financave dhe Thesarit, kanë aplikuar gjashtë (6) kandidatë. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, Komisioni Vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs për ZKFTH, konform legjislacionit në fuqi.

Duke u bazuar në këtë vlerësim, Komisioni Vlerësues rekomandon që të rishpallet konkursi për ZKFTH.

Shpërndaje në

U Kopjua