Kryetari i Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanë marrë konfirmimin se i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.
Pjesë e këtij mekanizmi janë 46 shtete, që shumica janë për, por sipas tij janë problemet politike ato që po e pengojnë këtë proces.
Madje ai shton se tha se problemi i Kosovës për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër qëndro tek fakti që vendi nuk është i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“E kemi thënë edhe shumë herë më herët, që ka pasur disa pengesa që ne të vijmë deri te lajmi që teknikisht jemi gati, ato i kemi potencuar edhe gjatë vitit të kaluar, i kemi marrë një sërë veprimesh nga Byroja bashkë më kompanitë e sigurimit dhe Banka Qendrore. Përveç të tjerave modaliteti edhe problemet politike që i kemi si vend, ato e kanë konfirmuar edhe zyrtarisht edhe publikisht se BKS-ja i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike, pse i përmenda të gjitha këto veprime sepse pavarësisht që na e kemi ditë që Kosova duhet me qenë fillimisht pjesë e OKB-së para se me qenë pjesë e kartonit të gjelbër sepse është parakusht, ne jemi munduar dhe kemi realizuar ato detyra që neve na takojnë si BKS, domethënë aktualisht sa po flasim ne sot si BKS jemi gati në çdo kohë të bëhemi pjesë e kësaj byroje ku janë pjesëmarrës rreth 46 shtete tjera, mirëpo janë ato problemet politike që neve ende na pengojnë e që është mos anëtarësimi i Kosovës në OKB”.
Mazreku sa i përket stikerave që i vendosen automjetet e regjistruara, tha se gjatë këtij viti i është ndryshuar ngjyra dhe se me përdorimin e tyre është rritur siguria në trafik dhe është ulur numri i dëmeve.
“Këtë vit ne kemi bërë një njoftim zyrtar që nga 4 janari ka filluar të vendoset ngjyra e gjelbër e stikerave, që nuk është e njëjtë me vitin e kaluar. Në vitin 2023 nuk guxon me pas ngjyrë tjetër përveç ngjyrës së gjelbër edhe ata qytetarë që për arsye të ndryshme i kanë dëmtuar stikerat e vitit të kaluar, e kanë të mundshme në qendrat e regjistrimit kanë rezervë stikera me ngjyrë të kuqe që ata munden me shku më i zëvendësuar edhe këto janë krejt pa pagesë. Impakti ka qenë shumë i madh për arsye se sot nga distanca policia dallon një veturë a është apo nuk është e regjistruar, anën tjetër është bërë edhe pastrimi i databazave në qendrën e regjistrimit kemi numër saktë të veturave sa janë pa regjistruar”
“…është rritur siguria në trafik për shkak se me skanimin e këtyre barkodeve dihet se kjo veturë, ky stiker a është real apo nuk është, anën tjetër ka numër më të vogël të dëmeve dhe ato janë dëme që ne i paguajmë përmes financimit shtesë nga kompanitë e sigurimeve, nëse flasim me raportin që e kemi dorëzuar në nëntor për periudhën janar-shtator edhe pse me 15 mars ka filluar implementimi i stikerave, në total kemi pasur 250 dëme më pak”.
Mazreku theksoi se ato vetura që ndalohen dhe nuk kanë stikera të vendosura, pra nuk janë të regjistruara dhe siguruara, sidomos pas datës 16 mars, do të dënohen me gjobë deri në 350 euro, raporton EO.
“Ato që ndalohen pa stiker 16 mars e tutje, kjo vlen edhe aktualisht mirëpo atëherë do të jetë më e fokusuar, qytetarët duhet të dinë që një gjobë pa regjistrim është 150 euro ndërsa pa sigurim është 200 euro, në total është një gjobë prej 350 euro nëse dikush ndalet në trafik pa sigurim dhe pa regjistrim. Ajo është edhe sot mirëpo edhe tu e ditë Policia e Kosovës që është një vit proces deri sa të mbyllet komplet cikli njëvjeçar atëherë, unë besoj që edhe Policia e Kosovës ka me pasë një fokus shumë të madh nga data 16 mars edhe kjo ka me dhënë një impakt shumë shumë më të madh, pastaj kemi me vërejte edhe te dëmet, kemi me vërejte edhe te qytetarët në trafik, sepse sot dallohet nga distanca një veturë se a ka apo nuk ka stiker”, tha ai.