PRISHTINË | 16 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku ka deklaruar se pas zgjedhjeve paralementare duhet të bisedohet për qeveri të re, e jo për kapje të shtetit me president partiak.
Këto komente, Çeku ka i ka bërë në vazhdën e diskutimeve VV – LDK për koalicionin, diskutime këto që po ngecin pasi që partia e Isa Mustafës ka kërkuar që pjesë e marrëveshjes të jetë edhe pozita e presidentit të ardhshëm.
“Përderisa thuhet se nuk ka marrëveshje për qeverinë pa pasur marrëveshje për Presidentin, atëherë realisht nuk është qeverisja e mirë synimi. Presidenti është kreu i shtetit. Pas zgjedhjeve parlamentare duhet të bisedohet për qeveri të re e jo për kapje të re të shtetit me president partiak”, ka thënë ai.
“Deputeti i VV-së thotë se presidenti nuk është menduar si pazar politik.
Presidenti i Republikës nuk është menduar si pazar politik. Pikërisht për këtë arsye mandati i Presidentit është pesë vjet, pra jo katër sa është mandati i qeverisë që del nga zgjedhjet parlamentare. Presidenti përfaqëson popullin dhe unitetin e tij për pesë vjet, jo politikanët dhe ujditë e tyre momentale. Në zgjedhje parlamentare nuk do të duhej që të synohet kolltuku i Presidentit si shpërblim a trofe. Nevojitet debat shoqëror, demokratik e politik se kush do t’i shërbente më së miri kësaj pozite”, shtoi ai.
Çeku tutje, ka thënë se Isa Mustafa, lideri i LDK-së bën mirë që të hiqet nga kjo ambicie personale.
“Nuk kemi nevojë edhe për një president tjetër partiak sikurse është Hashim Thaçi. Isa Mustafa bën mirë të tërhiqet qysh sot nga kjo ambicie personale, dhe të mos fshihet prapa LDK-së të cilën e shpëtoi Vjosa Osmani nga rënia në vendin e tretë. Populli vendosi për ndryshim të madh më 6 tetor 2019, jo që Thaçi t’ia jep stafetën Mustafës në vitin 2021, kurse Kurti e Osmani të bllokohen ende pa filluar. Mustafa duhet të heq dorë, mbi të gjitha për hir të programit zhvillimor 30 faqësh tashmë të dakorduar midis LVV dhe LDK”, tha ai