Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, deklaroi se Kosova në vjeshtën e vitit të ardhshëm do aplikojë për tu bërë anëtare e UNESCO-s.
Sipas tij, nga anëtarësimi në UNESCO do dëshmohet edhe më shumë pavarësia e sovraniteti i Kosovës.
“Unë besoj që në mundësinë e radhës duhet të aplikohet.E ajo mundësi është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kjo për shkak se konferenca e përgjithshme e UNESCO-s takohet çdo 2 vjet dhe kjo është mundësia për aplikim. Aplikimi në Këshillit e Evropës në Bashkimin Evropian, NATO e shumë shpejt edhe në UNESCO,janë veprime të natyrshme për ta konfirmuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Çeku në emisionin “Këndi i Debatit”.
Ai tutje përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e kandidatit për anëtar në Bashkimin Evropian, e që do ndodhë gjatë këtij muaji, raporton teve1.info.
“Besoj që në të njëjtën logjikë duhet të vazhdojmë edhe me UNESCO-n dhe me organizatat tjera institucionale e ndërkombëtare”, tha ai tutje.
Kujtojmë se kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar organit kulturor të OKB-së në vitin 2015 nuk ka marrë mjaftueshëm vota nga shtetet anëtare të UNESCO-s, për shkak të kundërshtimit të fortë nga Serbia dhe aleatët e saj.