Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara është bërë e ditur se Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.
“Duke kujtuar se ZPS-ja ishte urdhëruar më parë që të ndryshojë aktakuzën aktuale deri më 30 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në interes të efikasitetit, urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila ende mbetet për t’u dorëzuar brenda afatit të njëjtë (e premte, 30 shtator 2022)”, thuhet tutje në këtë njoftim
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.
Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin