Live

Chollet: Një krizë në Kosovë do të pengonte bashkëpunimin SHBA-Serbi

21:39 / 12 Janar 2023

Nga Kosova Live

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se një krizë e mundshme në Kosovë mund të pengojë bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.

Në një diskutim me gazetarë në Beograd, Chollet u pyet për marrëdhëniet SHBA-Serbi, për të cilat ai tha se janë “të forta dhe strategjike”, por që mund të pengohen, nëse nuk zgjidhen çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Frikësohem se përderisa çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur, në veçanti nëse situata do të sillte në ndonjë krizë, siç po frikësoheshim që po afrohej disa javë më parë, kjo do të pengonte një bashkëpunim më të thellë mes nesh. Nuk duam ta shohim këtë”, tha ai.

Në javët e fundit, në Kosovë ka pasur tensione të vazhdueshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi u barrikaduan për 20 ditë.

“Duam të dalim nga cikli i krizave në të cilën kemi qenë shumë gjatë. Duam të angazhohemi në dialog dhe mbështesim dialogun (mes Kosovës dhe Serbisë)”, tha Chollet, i cili në dy ditët e fundit ka zhvilluar vizita në Prishtinë dhe Beograd.

Chollet ka përsëritur qëndrimin e tij që e kishte shprehur në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë ditës. Zyrtari i lartë amerikan tha se duhet angazhim për dialog, të bazuar në propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, i njohur ndryshe edhe si propozimi evropian.

Më 11 dhjetor, Radio Evropa e Lirë raportoi se në planin evropian nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në dokumentin të cilin e kishte siguruar REL-i thuhej se elementet kyçe të këtij propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve janë: respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Mes tjerash, Chollet gjithashtu ritheksoi qëndrimin se Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit nga gazetarët u pyet edhe në lidhje me faktin se Serbia nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022.

“Kjo është e vështirë për shtetet, e kuptojmë këtë. Besojmë që është çështje praktike që Serbia të përmbushë fatin e saj evropian. Përderisa po qëndron jashtë konsensusit për sanksione ndaj Rusisë, është e vështirë të shihet se do të shkojë përpara ky proces”, tha Chollet.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...