Mediat e Prishtinës raportuan të martën se është shkëputur kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe operatorit virtual Z-Mobile. Së paku kështu u tha pas vendimit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit, i cili vendosi që mos ta ripërtërijë kontratën me Z-Mobile, ndonëse ajo zyrtarisht është valide deri nesër – pra më 31 korrik.
Por, përderisa ende nuk ka asnjë reagim nga ana e Z-Mobile për vendimin e sotëm të Bordit të Telekomit, janë ngritur shumë dilema dhe shqetësime lidhur me punën në vazhdim të këtij operatori virtual, i cili aktualisht i ka mbi 260 000 shfrytëzues të shërbimeve të telefonisë mobile.
Po ashtu, mbetet e paqartë se si do të veprohet edhe me kreditë e pashfrytëzuara; me kartelat gërvishtëse që Z-Mobile i ka në treg dhe shërbime e produkte të tjera.