Gazetar: Çlirim Qeriqi
Gjatë ditës së djeshme, Sindikata e Pavarur e RTK-së përmes një komunikate ka akuzuar drejtorin e RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj se e ka kërcënuar kryetarin e sindikatës, Fadil Hoxha me anë të një email.
“Sot në ora 10:53, në kohën kur Kryesia e Sindikatës mbante takim, në e-mailin zyrtar të kryetarit të Sindikatës, Fadil B. Hoxha ka ardhur një letër nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu ku kërcënohet kryetari i Sindikatës me masa ndëshkuese për shkak se gjatë inspektimit në zyrën e tij në ora 09:13 ai nuk ka qenë në zyre” – thuhet në reagimin e Sindikatës.
Këto inspektime, Sindikata i ka quajtur skandaloze, tendecioze dhe të panevojshme.
Këtë rast Sindikata e ka dërguar në Policinë e Kosovës.
Në lidhje me këtë rast kosovalive.net kontaktoi kryetarin e Sindikatës, Fadil Hoxha i cili tha se nuk ka çka shton asgjë më shumë se ajo që është thënë në komunikatë, duke mos lëvizur nga qëndrimet.
Këtyre akuzave dje i është kundërpërgjigjur drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj i cili mohoi akuzat.
Ai në një përgjigje për KALLXO.com tha se kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së është mirë të tregojë pse nuk ka qenë në vend pune gjatë ditës së sotme(djeshme).
“SPRTK-ja ka bërë deklarim të pavërtetë. Drejtori i Përgjithshëm nuk ka dërguar asnjë email dhe asnjë kërcënim në adresë të askujt. Sidoqoftë, është obligim i secilit udhëheqës njësie në RTK që të mbikëqyr mbarëvajtjen dhe prezencën e stafit në punë, ashtu siç është e përcaktuar me kontratat e tyre të punës” – thuhet në përgjigjen e Ahmetxhekajt dje.
“Megjithatë, është e habitshme se si i apostrofuari nuk ka dhënë sqarim për mungesën e tij në vendin e punës, por e shfrytëzon pozicionin si kryetar sindikate për të inskenuar situata të paqena” – kishte thënë ai.
Kurse sot, kosovalive.net kontaktoi Ahmetxhekajn i cili tha se çka ka pasur për të thënë e ka thënë dje dhe se nuk lëviz nga qëndrimet e tij.
Në të kaluarën Hoxha dhe Ahmetxhekaj kanë pasur marrëdhënie tejet të mira shoqërore, por duket se ajo ka mbetur pjesë e së kaluarës./kosovalive.net/