28 nëntori i këtij viti shënon edhe 25 vjetorin e daljës së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tre ushtarët e parë të lirisë që u paraqitën publikisht në atë kohë, ishin Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj.
Në një intervistë për Insajderin, ish-komandanti i UÇK-së, Daut Haradinaj ka rrëfyer për emocionet që kishte në paraqitjen e parë publike.
I ardhur nga Zona e Dukagjinit, Haradinaj ka thënë se vendimi për të dal publikisht ishte i përbashkët, pasi kishte zëra se UÇK-ja nuk ishte shqiptare.
“Atë kohë u vendos që UÇK-ja të dilte publikisht të jepte një mesazh që është reale dhe është e popullit, që jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin. I ardhur prej Dukagjinit me një farë forme ma jepen një nderë të dal në publik. Ishte vendim i përbashkët i gjithë krerëve që ishin prezent në krye me komandant Adem Jasharin. Unë s’kam qenë edhe i informuar që ka me dal në publik, mezi e kam gjet uniformën, Musë Jashari ma ka dhënë unifromën e vet, e kemi pas vetëm shqiponjën se nuk i kemi pas emblemat e UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se nuk kishin ide që kjo ngjarje do i merrte këto përmasa që ka sot. Ai ka treguar se teksti i paraqitjes publike është shkruar nga Rexhep Selimi.