Të akuzuarit, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi u deklaruan të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Valdet Gashi.
Të lartcekurit akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë e cila ishte vendosur në mish të ngrirë e që kishte ardhur nga Brazili në Kosovë.
I akuzuari Izet Sheqiri deklaroi se nuk ndihet fajtor për asnjë pikë të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jo nuk ndihem fajtor për asnja hiq”, tha Sheqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, i akuzuari Faton Vrajolli vazhdoi me deklarimin e tij si i pafajshëm po ashtu për të gjitha pika e aktakuzës.
“Në të gjitha pikat e aktakuzës ndihem i pafajshëm dhe asnjëherë nuk jam kanë i ndjeken penalisht”, deklaroi Vrajolli.
Po ashtu edhe Kadri Brahimi shtoi se ndihet i pafajshëm për veprat penale që e ngarkon prokuroria speciale.
“Për pikat qe i ka lexu prokurori nuk ndihna fajtor, para zotit jam i paqt”, shtoi Brahimi.
Në vazhdim u deklarua i pafajshëm edhe Kadri Sheqiri, duke thënë se nuk e ndjenë veten fajtorë.
Dhe krejt në fund për pafajësinë e tij u deklaruar edhe Fehmi Bytyqi, duke thënë se është plotësisht i pafajshëm.
Pas deklarimit lidhur me pafajësinë e tyre gjykatësi, Musa Konxheli njoftoi të akuzuarit se kanë afat 30 ditë për të paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Gjatë seancës gjyqësore mbrojtësit e të akuzuarve një zëri kërkuan të mbyllet e seancën gjyqësore për publikun dhe mediat, lidhur me kërkesën për ndërrimin e masës së paraburgimit, ku do të shtjellohen çështje biznesore dhe familjare pa interes për publikun.
Një kërkesë e tillë u refuzuar nga gjykatësi Konxheli me arsyetimin se nuk janë në fazën e shqyrtimit të masës së paraburgimit, por që janë në fazën fillestare të kësaj çështje penale juridike.
Pas refuzimit për mbylljen e seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Besnik Berisha deklaroi se tërhiqen nga kërkesa për ndërrimin e masës së paraburgimit për klientin e tij, me arsyen se nuk mund të i paraqes shkaqet e ndërrimit të masës në një seancë të tille publike.
Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Faton Vrajolli, avokatja Teuta Xhema qëndrojë prapa kërkesës për ndërrimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se kanë pushuar arsyet që klienti i saj të qëndrojë në paraburgim tashmë gati 19 muaj, duke dorëzuar edhe parashtresë lidhur më këtë çështje.
Tutje edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Brahimi, avokati Shefqet Hasimi tha se masa e paraburgimit për klientin e tij është e rëndë marrë parasysh se ky ka qenë vetëm vozitësi i kamionit më mall, duke mos ditur se çfarë ka brenda tij.
Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Fehmi Bytyqi, avokatja Hydije Ademi tha se kanë pushuar arsyet që klienti i saj të qëndrojë ende në paraburgim, gjithashtu e njëjta dorëzoi edhe një shkresë për gjykatën lidhur me deklarimin e pafajësisë dhe masën e paraburgimit.
Lidhur me kërkesat e avokatëve Xhema, Hasimi dhe Ademi gjykatësi Koxheli refuzoi kërkesat për ndërrimin e masës së paraburgimit me një masë tjetër më të butë, me arsyen se ende nuk kanë pushuar shkaqet për qëndrimin e tyre në paraburgim.
Ndërkaq, i akuzuari Kadri Sheqiri aktualisht ka masën e lajmërimit në stacionin policorë.
Paraprakisht, gjykatësi Konxheli sqaroi se është bërë veçimi i procedurës ndaj të akuzuarit, Hyzri Sheqiri me arsyen se mbrojtësi i tij, avokati Artan Qerkini ka deponuar marrëveshje për pranimin e fajësisë e lidhur mes të akuzuarit Sheqiri dhe prokurorisë special.
Po ashtu gjykatësi Konxhel shtoi se edhe për të akuzuarin Naim Morina është bërë veçimi i procedurës në seancën e kaluar, pasi që i njëjti ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramëv kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.