Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.
Ai këtë e deklaroi për Radio Evropa e Lirë, ndërsa u shpreh optimist se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, do sjellin rezultat.
”Po, kam parë arsye për shpresë në bisedat në Prishtinë dhe në Beograd. Por, kjo do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik. Dhe, ajo që kam dashur t’ua bëj të qartë liderëve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, ka qenë rëndësia që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë këtij procesi, shpresat që i kemi për këtë proces dhe mundësitë potenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, nëse janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet”.
”Mendojmë se rruga euroatlantike për Kosovën dhe për Serbinë ekziston. Dhe, ne duam t’i shohim ato duke ecur në atë rrugë. Por, do të jetë e vështirë, për aq kohë sa kjo çështje mbetet e pazgjidhur. Dhe, kjo është arsyeja përse do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta promovuar këtë ecje përpara”.