Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar në lidhje me një lajm të rrem i cili po qarkullon këto ditë në rrjetet sociale.
Ditë më parë në rrjetet sociale është publikuar një dokument fals me një lajm të rremë i cili përmbante kinse një marrëveshje të nënshkruar nga MKRS-ja dhe Partia Demokratike të Kosovës në lidhje me projektin për ndërtimin e stadiumit në Gjakovë.
Në dokumentin fals, thuhej se ministri Kujtim Gashi dhe PDK-ja janë duke kërkuar që të heqin mjetet nga projekti për stadiumin e qytetit të Gjakovës. Ndër të tjera thuhej se ato mjete do të shkonin për ndërtimin e bazenit në Leposaviq.
MKRS-ja demanton këtë lajm të rremë, dhe thotë se së shpejti do të fillojnë punimet në stadiumin e Gjakovës.
“MKRS bën me dije për opinionin, me theks atë të Gjakovës, se projekti për ndërtimin e stadiumit të Gjakovës është në fazën e hapjes së procedurave dhe se së shpejti aty do të fillojnë punimet për renovimin e këtij stadiumi, duke bërë që Gjakova ta ketë stadiumin e kategorisë së II-të sipas kritereve të UEFA-së”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.