Live

Dëmet nga vërshimet| Diaspora fillon mbledhjen e fondeve për zonat e prekura

19:08 / 23 Janar 2023

Nga Kosova Live

Me qëllim mbledhjen e fondeve për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet e fundit në disa rajone të Kosovës, GERMIN, Global Albanians Foundation (GAF) në SHBA, Fondacioni BESA dhe Shoqata “ODA Hamburg E.v” në Gjermani, organizuar mbledhjen e fondeve për të ndihmuar të prekurit e përmbytjeve.

Kjo fushatë u bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që t’u dalin në ndihmë të prekurve nga përmbytjet.

Qëllimi i fushatës është të mblidhen sa më shumë fonde, të cilat do të shfrytëzohen për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet.

Thirrja:

Nga 18 janari 2023, disa komuna të Kosovës janë prekur nga vërshimet e mëdha që kanë ardhur si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike dhe ngritjes së lumenjve. Kjo situatë po shkakton dëme të mëdha materiale në ekonomitë familjare, objektet private dhe publike, elektroshtëpiake e afariste etj., të cilat deri më tani llogariten të kalojnë miliona euro. Shumë familje tashmë janë evakuuar dhe nuk janë të sigurt për kthimin në shtëpi, ndërsa shumë ndërtesa janë jofunksionale. Fatmirësisht nuk ka humbje jetësh njerëzish. Komunat më të prekura nga vërshimet deri më tani janë: Skenderaj, Mitrovica Jugore, Klina dhe Vushtrria.

Nisur nga kjo situatë, Fondacioni Global Shqiptar (GAF) në SHBA, Fondacioni BESA në Gjermani, ODA Hamburg E.v. Shoqata në Gjermani dhe Organizata GERMIN në Kosovë ju ftojnë t’i bashkoheni fushatës për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet. Kjo iniciativë u bën thirrje bashkatdhetarëve tanë kudo që ndodhen, siç kanë bërë gjithmonë, që ta ndihmojnë Kosovën kur ajo ka nevojë më së shumti.

Qëllimi i fushatës është të mblidhen sa më shumë para në mënyrë që ndikimi i ndihmave të jetë sa më i madh. Ndihma do të shkojë vetëm për qytetarët e komunave të prekura, në lokacione që do të përcaktohen sipas situatës dhe nevojës në terren.

Shpërndaje në

U Kopjua