Deputetët skocezë në kuvendin britanik kanë bërë thirrje që të legalizohet përdorimi personal i drogës në mënyrë që të luftohet epidemia e vdekjeve nga përdorimi i narkotikëve.
Komisioni Parlamentar për Çështjet e Skocisë në kuvendin e Britanisë së Madhe ka kërkuar reforma radikale në qasjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj përdorimit të drogës, duke kërkuar ligje të reja për ofrimin e mënyrave dhe vendeve të sigurta për përdorimin e substancave narkotike.
Sipas këtij komisioni, nëse qeveria qendrore në Londër nuk ka vullnet t’i marrë këto masa, ajo duhet t’ia kalojë pushtetin Skocisë që të vendosë për këtë problem të vetin.
Megjithatë, në raportin e këtij komisioni kritikohet edhe qeveria skoceze, e cila akuzohet për përkeqësimin e gjendjes përmes zvogëlimit të fondeve për disa shërbime dhe u kërkua që ajo të bëjë më shumë në rast se i ofrohen kompetenca shtesë.
Deputetët e komisionit parlamentar thanë se qasja e tanishme për trajtimin e përdorimit të drogës si krim është kundër-produktive dhe se dekriminalizimi i përdorimit të vogël të drogës do të ishte ndihmë për përdoruesit që ta marrin trajtimin e duhur, shkruan “Independent”.