“Mënyra se si qeveria në Serbi do të merret me tragjedinë në Novi Sad do të jetë shumë e rëndësishme për hapjen e kapitullit të ardhshëm në negociatat me Bashkimin Evropian (BE)”, tha Thomas Hacker, raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor në komisionin e politikës së jashtme të Bundestagut.
Hacker vizitoi Beogradin si një nga pjesëmarrësit e Forumit të Sigurisë së Beogradit, organizuar nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, në një kohë kur aktivistët dhe një pjesë e partive opozitare po organizojnë protesta në Novi Sad, duke kërkuar ndjekjen penale të personave përgjegjës për vdekja e 15 personave gjatë shembjes së tendës në stacionin hekurudhor në atë qytet.
Duke komentuar reagimin e autoriteteve lokale ndaj tragjedisë në Novi Sad, një deputet gjerman nga Partia Demokratike e Lirë (FDP) thotë se është e nevojshme që institucionet në Serbi të tregojnë se askush nuk është i mbrojtur nga ndjekja penale.
“Gjërat duhet të sqarohen. Çdo ditë që kalon pa bërë asgjë nga shteti dhe prokuroria është ditë e keqe për Serbinë dhe popullin e Serbisë”, tha Thomas Hacker, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë
I pyetur se si i komenton njoftimet që vijnë nga Brukseli dhe Beogradi zyrtar se deri në fund të vitit, Serbia mund të hapë grupin 3 – i cili përfshin kapituj për median, politikën sociale, sipërmarrjen dhe industrinë – në negociatat me BE-në, Hacker thotë se nuk është reale të pritet, duke qenë se Serbia nuk ka përparuar në rrugën evropiane.
“Ne shohim pak ose aspak progres, madje edhe regres. Shohim agresion dhe dhunë ndaj mediave, opozita në parlament nuk trajtohet ashtu siç duhet”, vlerësoi Hacker.