Live

Deputeti gjerman sot pret rezultat pozitiv: Kosova i ka plotësuar kushtet për KiE

08:26 / 27 Mars 2024

Nga Kosova Live

Në prag të prezantimit të raportit faktmbledhës ( 27.03.24) Dora Bakojanis, raportuese e Këshillit të Evropës (KiE) për Kosovën, në Komisionin e Çështjeve Politike, deputeti gjerman socialdemokrat Frank Schwabe është optimist.

Deputeti gjerman ka folur për shansin historik të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion, por thotë se me vendimin vijnë edhe obligime, të cilat Kosova duhet ti përmbushë.

“Unë jam një nga ata që dëshirojnë që Kosova të bëhet anëtare tani, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet në SHBA, si do të ndryshojë situata politike. Pra, Kosova është dukshëm më përpara në aspektin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit sesa disa shtete të tjera që tani janë anëtarë të Këshillit të Evropës. Në këtë aspekt, do të thoja se Kosova në thelb i plotëson këto kushte. Por me vendimin që do të marrim do të ketë një listë të tërë, disa faqe, të obligimeve që Kosova duhet t’i përmbushë dhe t’i marrë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur optimist për rezultatin e sotëm teksa potencon se kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar.

“Unë po angazhohem që të ketë një shumicë prej dy të tretash, si në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe besoj se do t’ia dalim. Kjo është detyra im e drejtpërdrejtë sepse unë jam kryetar i delegacionit gjerman por edhe i grupit më të madh parlamentar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Unë shpresoj që në më pas kjo shumicë prej dy të tretash të arrihet në nivelin e Komitetit të Ministrave të Jashtëm të 46 shteteve, që do të mblidhet në maj. Por konstatoj se ka shtete që duan ta kombinojnë të gjithë situatën me negociatat që po zhvillohen në nivel të BE-së dhe me SHBA-në dhe Serbinë. Unë jam nga ata që mendoj se duhet të shikojmë vetëm situatën në Kosovë. Dhe kushtet për anëtarësim tani janë plotësuar. Jam shumë i sigurt se do të arrijmë një shumicë prej dy të tretash në nivel parlamentar dhe shpresoj që këtë do ta marrim edhe në nivel qeverie”, ka thënë Schwabe në një intervistë për DW.

Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës.

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetën një pikë të rendit të ditës, atë të aplikimit të Kosovës në KiE, gjegjësisht raportin e Dora Bakoyannis.

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Shpërndaje në

U Kopjua