Live

Deputeti i VV-së i pakënaqur: I padrejtë dallimi i pagës së sektorit publik dhe atij privat, Qeveria të ndërhyjë

23:23 / 09 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka thënë se dallimi mes pagës në sektorin publik dhe atij privat është padrejtësi që kërkon vëmendje nga Qeveria për ndërhyrje.

Pas miratimit të koeficientit në vlerë prej 105 eurosh, Korenica ka shkruar të enjten në Facebook se nëpërmjet këtij koeficienti, paga në sektorin publik arrin në 730 euro, ndërsa në sektorin privat mbetet 450-480.

“Në këtë objekt të Kuvendit kemi punëtorë të angazhuar nga kompania private me pagë jo më të lartë se 220 euro. Pra, me pagë më të ulët se paga minimale që ka kaluar në lexim të parë. Një diferencë e tillë prej rreth 40% është një padrejtësi që kërkon vëmendje nga qeveria për ndërhyrje para se të bëhet shumë vonë. Nuk është kështu në gjithë botën”, shkroi Korenica.

Në mbrëmjen e së enjtes, 63 deputetë i thanë “po” koeficientit 105 euro. Ligji u miratua në procedurë të përshpejtuar. Pasdite u miratua në parim e në mbrëmje në lexim të dytë.

Gjatë debatit, opozita propozoi ngritje të vlerës së koeficientit deri në 132 euro, por nuk mori mbështetjen e shumicës.

Shpërndaje në

U Kopjua