Live

Deputeti Rexhaj: Çështje ditësh heqja e barrikadave në veri, i largojmë vet nëse nuk reagon KFOR-i

21:02 / 19 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Derisa barrikadat në veri të Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë në ditën e dhjetë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se situata vazhdon të jetë e qetë por që grupet kriminale vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka konfirmuar se kishte plan që të sulmohej pika kufitare në Jarinjë.

E sipas anëtarit të Komisionit për Siguri, Arbër Rexhaj institucionet e Kosovës do të presin edhe disa ditë nga KFOR-i dhe nëse nuk largohen barrikadat, atëherë këtë do ta bëjnë vet.

Një protestë e nisur të dielën nga një grup serbësh, të afërt me organizatën paramilitare ruse Wagner, kishte qëllime të tjera.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka konfirmuar se grupi planifikonte të sulmonte pikën kufitare në Jarinjë.

“Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm. Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës. Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët). Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte. Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në. Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë”, thuhet në reagimin e Bislimit.

Derisa, nga Policia e Kosovës, kanë njoftuar se dy pikat kufitare, ajo në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, si shkak i barrikadave të vendosura nga grupet kriminale.

Nga ky institucion kanë thënë se gjendja vazhdon të jetë e njëjtë dhe se zyrtarët policor së bashku me akterët tjerë, vazhdojnë të kujdesen për sigurinë e qytetarëve.

“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e Policisë së Kosovës. Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim. Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme. Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në komunikatën Policia e Kosovës.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin ‘Five’ ka folur për kërkesën që Kosova, ia ka adresuar KFOR-it për heqjen e barrikadave, që janë vendosur tash e 10 ditë në rrugë në pjesën veriore.

“KFOR-i ka kërkuar mirëkuptim nga Qeveria e Kosovës edhe një kohë për t’i larguar barrikadat, Qeveria e Kosovës do ta mirëkuptojë KFOR-in, por jo shumë gjatë. Mendoj që është çështje ditësh [largimi i barrikadave]”, deklaroi Arbër Rexhaj.

Grupi i ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia të dielën protestoi në pikën kufitare duke thënë se janë nisur që të ndihmojnë serbët në barrikada.

Ata kaluan një kordon të Policisë serbe por u kthyen mbrapa pak para arritjes në pikën kufitare në Jarinjë.

Kreu i këtij grupi Damjan Knezheviq, njihet për lidhjet e tij organizatën paramilitare ruse Wagner, selinë e të cilës e kishte vizituar muajin e kaluar.

Një ditë më parë qytetarët serb protestuan në afërsi të Jarinjës, derisa u përleshen edhe me zyrtarët policor serb, pas arrestimit të njërit prej protestuesve. Atyre u priu një serb që ka lidhje të afërta me grupin “Wagner”, një grup ushtarak rus në pronësi një personi të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...