Në rrjetin social Twitter është shfaqur një video nga Kuvendi i Serbisë, ku shihet se si deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë, Zvonimir Steviq, po shikonte një film porno në celularin e tij gjatë seancës për Kosovën. Për këtë shkak, Steviq dha dorëheqjen nga pozita e deputetit.
Steviq ka një karrierë të gjatë parlamentare. Nga viti 1996 deri në vitin 2000 ka qenë anëtar i Këshillit të qytetarëve të Kuvendit Federativ të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa nga viti 2004 është zgjedhur gjashtë herë deputet i Kuvendit të Serbisë.
Ai tërhoqi vëmendjen e publikut si deputet në vitin 2008, kur shpenzoi më shumë se dy milionë e gjysmë dinarë për udhëtime nga buxheti parlamentar, transmeton Demokracia.com.
Ai ishte edhe në pushtetin ekzekutiv. Në vitin 2008 ka qenë ndihmës ministër në Ministrinë për Kosovën, e më pas sekretar shtetëror dhe në atë ministri ka qenë edhe kryetar i Qendrës Koordinuese.
Ai u lind më 17 mars 1957 në Prishtinë. Në vitet 1980, ai punoi si gazetar në NIP Jedinstvo dhe sekretar i Komisionit për Programin e JU-së.
Nga viti 1991 deri në vitin 1999 ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Qytetit të Prishtinës. Në këtë kohë në Kosovë ndodhin masat e dhunshme, largimet masive nga puna, maltretimet, vrasjet e deri tek masakrat në vitin 1998-1999. Ishte koha kur Steviq i shërbente kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Ai ishte edhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Qendror të Partisë Socialiste të Serbisë dhe për dy mandate kryetar i të ashtuquajturit “Këshilli Krahinor i Partisë Socialiste të Serbisë për Kosovën”.
Në faqen e SPS-së thuhet se Steviq ka pasur rezultate të dukshme edhe në fushën e futbollit. Ai u zgjodh kryetar i FC Graçanica në vitin 1992, i cili në atë kohë kaloi nga Liga e dytë e Kosovës në Ligën e parë, e më pas në Ligën e tretë të Serbisë.
Ai u zgjodh president i FC Prishtinës (klubit që dhunshëm u mor nga serbët pas vitit 1991) në vitin 1995, kur ai klub kaloi nga Liga e Parë B në Ligën e Parë A dhe më pas në Ligën e Parë Federale. /Demokracia.com/