Live

Deputetja e LDK-së viziton Luginën: Turp që Qeveria s’ka ndarë mjete për këto komuna

21:24 / 24 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka vizituar komunat e Preshevës dhe Bujanocit së bashku më disa asamblistë të partisë së saj.

Ajo është shprehur se do të jetë zëri i njerëzve në Luginën e Preshevës si deputetja e vetme opozitare nga Anamorava.

“Është për turp që kjo Qeveri nuk ka ndarë mjete për komunat e Kosovës Lindore, por vetëm për OJQ.”, shprehet Bunjaku-Rexhepi.

Ajo ka premtuar se takime më të shpeshta të këtij niveli do të ndodhin edhe në të ardhmën.

Ky është postimi i plotë:

Pata kënaqësinë që sot të jem në vizitë zyrtare në Kosovë Lindore, respektivisht, në Komunën e Preshevës dhe Komunën e Bujanocit, së bashku me disa nga këshilltarët komunalë të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Lidhja jonë vëllazërore me Kosovën Lindore kalon çdo kufi e çdo pengesë. Si deputete e vetme e Anamoravës në opozitë, do jem zëri i tyre sa herë që kanë nevojë të ngrisin çështje në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ofrova bashkëpunim me dy kryetarët e komunave për interesat e qytetarëve të kësaj ane.
Është për turp që kjo Qeveri nuk ka ndarë mjete për komunat e Kosovës Lindore, por vetëm për OJQ.
Takime të tilla në frymën e mikpritjes vëllazërore mendoj që duhet të ndodhin më shpesh mes institucioneve tona qendrore dhe lokale.

Shpërndaje në

U Kopjua