Live

Detaje nga vrasja në Top Channel: Vetura ishte e një kosovari

11:47 / 28 Mars 2023

Nga Kosova Live

Detaje të reja vazhdojnë të bëhen publike për ngjarjen e cila tronditi Shqipërinë ditën e djeshme. Vrasja e rojës në ambientet e televizionit Top Channel.

Policia e Shqipërisë me një reagim të gjatë ka bërë të ditur se kushdo që ofron informacione për këtë rast, do të ketë shpërblim 100 mijë euro. Si rezultat i hetimeve nga njësitet e policisë në Shqipëri, janë sekuestruar të gjitha pamjet e kamerave nga ku ka lëvizur vetura me të cilën është kryer krimi.

“Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait””, thuhet në komunikatën e Policisë së Shqipërisë.

“Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private përreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët. Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjeti i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.”, bëhet e ditur më tutje.

Një detaj interesant është zbardhur për herë të parë. Vetura e tipit “Range Rover” me të cilën është kthyer krimi, i takonte një kosovari nga i cili ishte vjedhur në “Tale” të Lezhës.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...