Katër persona, tre serbë dhe një boshnjak, si të dyshuar për krime lufte në Kosovë, gjenden në paraburgim, ndërsa total janë dhjetë raste në gjykim për krime lufte në Kosovë.
Tetë prej këtyre rasteve gjenden në shqyrtim në shkallë të parë, e dy janë në shkallë të dytë, thotë Amer Alija koordinator dhe analist ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).
“Për momentin pranë gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë janë 10 raste në procedurë, tetë raste janë pranë gjykatës së shkallës së parë dhe dy raste janë në shkallën e dytë. Po ashtu disa muaj më parë janë arrestuar edhe katër persona për krime të luftës, ku këta katër persona gjenden në paraburgim dhe hetimet ndaj tyre janë duke vazhduar. Pra, pritet që me përfundimin e hetimeve ose të ngrihen aktakuza ose të përfundojnë hetimet”, tha ai.
Gjatë vitit të kaluar nga shkalla e dytë dënimi maksimal ka qenë kundër të pandehurit Goran Staniçiq me 15 vjet burgim, kurse dënimi më i lartë ka qenë në kohën e UNMIK-ut me 20 vjet burgim.
Sa i përket gjykimit në mungesë, ai tha se dënime ndodhin vetëm në letër, ngase pas arrestimi të njëjtit mund të kërkojnë rihapje të procedurave, duke bërë kështu që një procedurë të zhvillohet dy herë.
“Po mund të ketë më shumë procese gjyqësore, por sipas mendimit tonë si organizatë, viktimat nuk do të kenë statisfaksion në qoftë se personat të cilët akuzohen dhe gjykohen në mungesë dënohen vetëm në letër, duke pasur parasysh se i njëjti ligj ia mundëson personave të cilat janë dënuar në mungesë me rastin e arrestimit të tyre të kërkojnë që edhe një herë rihapet procedura, pra të gjykohen rishtas prej fillimit. Atëherë ne do të krijojmë dyfish, dy herë procedurat penale dhe nuk është ky një statisfaksion nëse persona të dënuar në mungesë, por të njëjtit nuk janë duke vuajtur dënimin në burg”, shtoi ai. “Deri më tani dënimi maksimal është shqiptuar më kohën e UNMIK-ut me 20 vjet burgim. Pra, sipas ligjit penal të ish-Jugosllavisë, dënimet shkojnë prej pesë vjet, pra minimumi është 5 vjet burgim dhe maksimumi është 20 vjet burgim. Pra, kryesisht dënimet për krime e luftës kanë shkuar prej pesë deri 15 vjet burgim nga gjykatat e Kosovës”.