Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili gjatë dy ditëve të fundit qëndroi për vizitë në Kosovë e Serbi ka thënë se ekziston mundësia për një kompromis mes Kosovës dhe Serbisë dhe se Bashkimi Evropian ka bërë një propozim premtues.
Chollet përsëriti se vendimet do të jenë të vështira dhe një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkojë guxim politik.
“Ne e mbështesim dialogun, sepse është mënyra më e mirë për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Vendimet do të jenë të vështira dhe një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkojë guxim politik, por SHBA mbështet lëvizjet e rëndësishme të liderëve rajonalë”, tha ai.
Chollet vlerësoi se ekziston mundësia për një kompromis në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se plani franko-gjerman, tashmë i quajtur plan evropian për normalizimin e marrëdhënieve, është bazë e mirë për bisedime.
“Kjo është një bazë e mirë për bisedime. Ajo që ne kemi dashur me këtë vizitë është që të fillojmë ato bisedime. Shpresojmë që negociatat do të vazhdojnë në bazë të atij propozimi”, tha ai.
Ai po ashtu tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit dhe Evropës, veçanërisht në këtë moment kur kriza për shkak të luftës në Ukrainë po vazhdon.
Chollet shtoi se ndërmjetësimi i BE-së në dialog është zgjidhja më e mirë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.
“Ne mbështesim udhëheqësit që të vënë qytetarët e tyre në rend të parë kur bëhet fjalë për një zgjidhje. Kjo do të kërkojë guxim politik dhe SHBA është këtu për të mbështetur liderët për të ndërmarrë ato hapa kyç,” tha ai ndër të tjera gjatë një adresimi për media në Beograd.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Derek Chollet tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
“Ne besojmë që ky dialog është mjeti më i mirë për Kosovën që të sigurojë të ardhmen e vetë të plotë euroatlantike. Dhe presim nga Kosova t’i plotësojë të gjitha obligimet e saj nën dialog që përfshinë themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Ne mendojmë që kjo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Mendojmë që zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”.
Chollet ka theksuar se ShBA nuk e përkrah një asociacion si Republika Serbe, por asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës të paraqesë disa propozime në tavolinë. Dua ta bëj të qartë që ne nuk e përkrahim dhe nuk do ta përkrahim aranzhime si ato të Republikës Serbe dhe nuk po i kërkojmë Kosovës të përkrahë çfarëdo aranzhimi që nuk është në përputhje me Kushtetutën e vet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar, Marrëveshja e Brukselit – Gjykata Kushtetuese ka vendosur që është e domosdoshme të themelohet komuniteti i komunave me shumicë serbe dhe që ne besojmë që formimin e tij e bën ligjërisht obliguese për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Chollet.