Një dietë mesdhetare me arra, ushqim deti, drithëra dhe perime mund të ulë rrezikun e demencës me pothuajse një të katërtën, sipas hulumtimeve që mund të hapin rrugën për trajtime të reja parandaluese.
Të dhënat sugjerojnë se ngrënia e shumë ushqimeve me bazë bimore mund të ketë një “efekt mbrojtës” kundër demencës, pavarësisht nga rreziku gjenetik i një personi.
Autorja e studimit Janice Ranson, një studiuese në Universitetin e Exeter, tha: “Gjetjet nga ky studim i madh i bazuar në popullatë nënvizojnë përfitimet afatgjata të shëndetit të trurit nga konsumimi i një diete mesdhetare, e cila është e pasur me fruta, perime, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme.”
Raporti, i publikuar në revistën BMC Medicine, bazohen në të dhënat nga më shumë se 60,000 individë nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, një bazë të dhënash në internet të të dhënave mjekësore dhe të stilit të jetesës nga më shumë se gjysmë milioni britanikë.
E konsideruar prej vitesh si dieta më e mirë në botë, dieta mesdhetare u prezantua për herë të parë në vitin 1993 bashkë me piramidën e saj ushqimore. Nuk ka një listë fikse me produkte, sepse çdo rajon i detit Mesdhe e përshtat atë në bazë të traditës gastronomike.
E përbashkëta e rajoneve të Mesdheut, ku këtu bën pjesë edhe vendi ynë, është gama e gjerë e ushqimeve: perime, fruta, fara, drithëra, vaj i ullirit, kosi, djathi, peshku, vezët dhe vera. Sekreti i dietës mesdhetare qëndron te freskia e ushqimeve; ato duhet të jenë bio dhe të sezonit. Dieta mesdhetare lejon në sasi të vogla mishin dhe ëmbëlsirat dhe shoqërohet gjithnjë me aktivitet fizik.
Dieta mesdhetare është më tepër një stil jetese sesa një dietë e mirëfilltë. Në vijim gjeni një guidë të thjeshtë:
– Çdo ditë fruta dhe perime të stinës.
– Çdo ditë drithëra integrale (grurë, misër, oriz, tërshërë, elb), fasule, thjerrëza, qiqra.
– Dy deri në tre herë në javë duhet të konsumoni peshk dhe prodhime deti.
– Duhet të keni pjesë të dietës suaj ushqimore arrat, bajamet, susamin, farat e kungullit dhe erëzat si rigoni, rozmarina, trumza etj.
– Mish i kuq dhe ëmbëlsira duhet të jenë në sasi të vogla.
– Përdorimi i vajit të ullirit.
– Konsumi i kontrolluar i verës së kuqe dhe çajrave bimorë.
– Aktiviteti fizik.