Live

Diplomatja amerikane në Kosovë rrëfen përjetimin e terrorit më 11 shtator, 2001

20:56 / 11 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Aeroplani i parë goditi Qendrën Tregtare Botërore në orën 8:46, mëngjesin e 11 shtatorit të 2001-ës.

Në këtë kohë, rreth 400 kilometra më larg në Pentagon, Anupama Prattipati ishte nisur për të shkuar në fakultet në Washington DC, raporton Klan Kosova.

Ajo vajzë sot është E Ngarkuara Amerikane me Detyrë në Kosovë, dhe pas 23 vjetëve kujton se gjithçka ishte e qetë dhe e rregullt. Por, jo për kohë të gjatë.

“Hyra në metro në Pentagon dhe dola në Washington, D.C. Brenda atyre tetë minutave, avioni goditi. Nuk dija asgjë derisa mbërrita në shkollë dhe pashë që të gjithë ishin jashtë. Dikush tha: Sapo kanë goditur edhe Pentagonin. Unë thashë: Për çfarë po flisni? Unë isha atje. Më thanë të kthehem, dhe kur u ktheva, pashë qiellin e errët. Të gjithë ishim në shok”, tha për Klan Kosova Anupama Prattipati.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin sulmuar. E kjo i unifikoi amerikanët. Madje ajo tha se edhe njerëzit me të cilët ShBA-ja kishte marrëdhënie të vështira, thanë “jemi me ju – të gjithë jemi amerikanë sot”.

Sulmet terroriste të shtatorit i morën jetën 3 mijë njerëzve dhe sipas diplomates amerikane, kjo la gjurmë të mëdha në Amerikë, por edhe në gjithë botën.

Mëngjesin e së mërkurës, bashkë me marinsat amerikanë me shërbim në Kosovë, i nderuan të rënët në një mënyrë të veçantë. Ata ngjitën shkallët për 18 herë në objektin e Ambasadës.

E njëjta gjatë të mërkurës, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe për nder të viktimave të sulmit ndaj ShBA-së.

E Ngarkuara Amerikane me Detyrë në Kosovë shprehu mirënjohjen e thellë ndaj kosovarëve për përkrahjen e vazhdueshme që po u jepet amerikanëve për tragjedinë e 11 shtatorit.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...