Javën e kaluar Dogana e Kosovës ia konfiskoi 42 mijë litra alkool të paligjshme në fshatin Hoçë e Madhe të Sarajevës, ndërsa sot pronari serb i kësaj ndërmarrje udhëton për në Presidencë të Serbisë, ku do të takohet me Aleksandar Vuçiqin
“Sot, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takojë pronarin e verarisë nga Hoçka e Madhe, Srxhan Petroviç”, lajmëroi televizioni publik i Vojvodinës.
Dogana e Kosovës gjatë realizimit të një kontrolle rutinë në një shitore pijesh alkoolike, ka gjetur se operohej edhe me prodhimin e pijeve alkoolike pa autorizim përkatës, që siç e njoftuan ata, është në kundërshtim me normat përkatëse të Kodit Doganor dhe Akcizave.
“Personi gjithashtu nuk ka të regjistruar aktivitetin as si biznes në Agjensionin për Regjistrimin e Bizneseve dhe rrjedhimisht nuk përfill kërkesat e raportimit të entit përkatës pêr mbikëqyrje të prodhimtarisë së verërave”, kishte njoftuar para katër ditësh Dogana e Kosovës.
“Duke qenë se natyra e këtij veprimi të dyshuar përbën vepër penale, Dogana ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për veprimet e mëtejme. Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkooli në sasi prej rreth 42 mijë litra”.
“Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit. Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit”.
Më tej, duke e qartësuar natyrën e operacionit, Dogana e Kosovës kishte njoftuar se në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore.
“Veprimi i bizneseve të paligjshme përbën konkurrencë të padrejtë ndaj bizneseve të ligjshme”.
Dogana e Kosovës, siç vazhdonte të njoftonte, ka zbatuar administrimin e kontrollit dhe procedurat adekuate në mirëkuptim të plotë me personin përgjegjës dhe nuk ka hasur në asnjë lloj pengese nga banorët lokal.
“Veprime të tilla kontrolli që rezultojnë në gjetje të proceseve të pa autorizuara prodhimi Dogana ka hasur edhe në qytete tjera, si në Gjakovë dhe madje ka bërë publike edhe rastin e rreth 15 mijë litra alkool në Tetor të viti të kaluar”.