Live

Dorëzohen 35 ankesa te Avokati i Popullit për ulje pagash

17:15 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Avokati i Popullit ka njoftuar se deri më tani ka pranuar 35 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin Publik.

Në një përgjigje për Kohën, institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm.

“Ankesat kanë ardhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunalë të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësorë, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të tjerë”, thuhet në përgjigje.

Bëhet e ditur se ankesat e tyre kanë të bëjnë me uljen e pagave.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj ka paralajmëruar se do të dalë me një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik është caktuar në vlerë prej 105 eurosh. Ligji i Pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 9 shkurt.

Shpërndaje në

U Kopjua