Live

Duda Balje: Fyerjet dhe ofendimet drejt Ganimete Musliut janë të patolerueshme

19:35 / 04 Mars 2023

Nga Kosova Live

Deputetja Duda Balje, i ka dalë në mbrojtje deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut pas ofendimeve e linçimeve që kjo e fundit mori, pasi një përplasje që kishte me kryeministrin Kurti në seancën e Kuvendit të së enjtes.

Balje ka thënë se fyerjet dhe ofendimet drejt deputetes Musliu janë të patolerueshme.

“Fyerjet dhe ofendimet drejt Ganimete Musliut janë të patolerueshme. Askush nuk duhet të përdorë gjuhë diskriminuese dhe ofenduese, aq më pak ndaj një deputete që përfaqëson qytetarët e Kosovës.

Femra nuk duhet të ofendohet në bazë të dukjes se saj dhe në asnjë formë të gjuhës së nënçmimit e diskriminimit”, shkruan Balje.

Pas një diskutimi të deputetes Ganimete Musliu në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, filluan një valë reagimesh kundër saj, përfshirë edhe ofendime e linçime.

Për gjuhën e përdorur ndaj deputetes Musliu, gjatë ditës reagoi edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj). KMDLNj thotë se ky fjalor ndaj deputetes Musliu nuk është se po përdoret për herë të parë dhe, në mungesë të sanksionimit të fyerjeve që kanë edhe përmbajtje dhe porosi raciste, fyerjet vetëm sa po shtohen.

Shpërndaje në

U Kopjua