Live

Dy vetëvrasje, asnjë ndëshkim| Gjykata urdhëroi dërgimin në psikiatri, shteti i dërgoi në qeli

14:26 / 10 Dhjetor 2022

Nga admin

Një skandal i madh ka përfshirë Qendrën Korrektuese të Grave në Lipjan dhe Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Për katër muaj, dy të burgosur me probleme psikike në këto dy qendra janë vetëvrarë.

Ndërkohë, që hetimet e bëra nga Inspektorati kanë gjetur shkelje të shumta nga zyrtarët përgjegjës për këto dy raste. Asnjë masë nuk u është shqiptuar përgjegjësve.

Më 19 gusht të vitit 2021 i paraburgosuri me inicialet Y.D. (emër i njohur për redaksinë) në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë kishte kryer vetëvrasje në qelinë e tij.

I paraburgosuri duhej të dërgohej për mjekim. Ishin nxjerrë dy aktvendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë që urdhëronin transferimin e tij në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK).

Sipas dokumentit që ka siguruar Paparaci, i paraburgosuri duhej të mbahej në paraburgim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, por që në mungesë të vendeve më 3 korrik të 2021-ës ishte dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Sipas të gjeturave të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, Gjykata në Prishtinë kishte urdhëruar që ekzaminimi psikiatrik të kryhej më së largu më datën 1 gusht të atij viti.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë caktohet masa e paraburgimit me ç’rast obligon edhe ekzaminim psikiatrik, i cili duhet të kryhet brenda periudhës kohore 01.07.2021 deri me 01.08.2021”, shkruhet në dokument.

Gjykata Themelore në Prishtinë me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Y.D., ka përsëritur urdhëresën për ekzaminimin psikiatrit të të dyshuarit. Kjo urdhëresë obligonte kryerjen e ekzaminimit brenda dy javësh.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 30.07.2021, i vazhdon paraburgimin të paraburgosurit Y.D. dhe në Aktvendim urdhëron që të bëhet ekzaminimi psikiatrik, duke filluar jo më larg se data 01.08.2021 deri më 01.09.2021. Me këtë Aktvendim, në pikën 6, Forenzika urdhërohet që ekzaminimin ta kryej brenda dy javësh dhe raporti për ekzaminim duhet t’i dërgohet me shkrim Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në këtë Aktvendim ceket se i paraburgosuri paraburgimin duhet ta mbajë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike”, shkruhet në të gjeturat e Institutit.

Vetëvrasja e paralajmëruar

Ekzaminimi psikiatrik dhe as zhvendosja e të dyshuarit në IPKF nuk kanë ndodhur.

Inspektorati në të gjeturat e tyre nuk ka arsyetuar qëndrimin aq gjatë të Y.D. në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

“Instituti i Psikiatrisë Forenzike, QP- Prishtinë dhe Drejtoria Qendrore është dashur të gjejnë rrugën e përmbushjes së urdhëresës sipas Aktvendimit të gjykatës, sidomos kur afatet sipas urdhëresës kanë qenë strikte”, ka konstatuar Inspektorati.

Madje Inspektorati në ditën kur ka kryer inspektimin ka gjetur edhe 6 raste të tjera të paraburgosurish që kanë pasur Aktvendim për ekzaminim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, por që janë mbajtur në qeli.

Inspektorati ka rekomanduar që të iniciohet procedurë disiplinore ndaj personave përgjegjës për mos zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Po ashtu ka rekomanduar që në rastet e mungesës së hapësirës në IPFK, ekzaminimet të kryheshin në spitalet e tjera publike.

Katër muaj pas vetëvrasjes që ka ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, një tjetër rast më 30 dhjetor të 2021-ës tronditi Qendrën Korrektuese të Grave në Lipjan.

E dënuara me inicialet M.K. (emër i njohur për redaksinë), që ka qenë në terapi psikiatrike ishte vetëvrarë. Inspektorati ka gjetur shkelje të shumta që përfshinin hallkat kryesore të kësaj Qendre.

Në dokumentin që ka siguruar Paparaci, Fatlinda Mustafa, në atë kohë ushtruese e detyrës së drejtoreshës, ka urdhëruar që e burgosura M.K. të mbyllej në një dhomë.

Sipas të gjeturave të Inspektoratit ajo e ka urdhëruar një izolim të tillë të të burgosurës përmes mesazhit telefonik.

“Inspektorati ka kërkuar edhe deklaratat me shkrim nga Zëvendësuesja e Drejtorit, Fatlinda Mustafa, zv. Drejtoreshës Leunora Sahiti dhe udhëheqësja Remzie Lumi për komunikimin që ka ndodhë përmes ‘sms’ ku dhe është urdhëruar mbyllja e të dënuarës M.K. në dhomë. Pa një rekomandim me shkrim nga psikologjia”, shkruhet në të gjeturat e inspektoratit.

Sipas po të njëjtit raport e dënuara ishte vënë në observim nga psikologja nga data 10 shtator 2021 e deri me 20 shtator të po të njëjtit vit. Observimi duhej të kryhej çdo 30 minuta.

E ndjera ishte vënë sërish në observim më datë 2 nëntor. Ky observim, si ai paraprak duhej të kryhej çdo 30 minuta.

Asnjë përgjegjësi deri tash

Mirëpo, Inspektorati ka gjetur se gjatë procesit të observimit, tashmë të ndjerës ka pasur shkelje.

“Inspektorati gjen se gjatë monitorimit të kamerave se raporti i datës 30.12.2021 nga ora 03:30 minuta e deri në ora 08:00 raporti i observimit është plotësuar por pa shikuar për së afërmi të dënuarën M.K.”, thuhet në raport.

Madje, për tashmë të ndjerën, M.K. në raportin e Komisionit Multidicilinar të datës 14 maj të vitit 2021 propozohej që ajo të angazhohej në punë të lehta, si kopshte dhe aktivitete të tjera. E dënuara duhej të ishte nën përcjelljen e stafit korrektues.

Inspektorati ka gjetur se ka shkelje ligjore në procesin e mbylljes së M.K. nga ushtruesja e atëhershme e detyrës së drejtoreshës, Fatlinda Mustafa.

“Konstatohet se ka shkelje ligjore gjatë procesit të mbylljes së M.K. nga urdhëresa përmes telefonit nga zëvendësuesja e Drejtorit Fatlinda Mustafa me datën 29.12.2021 pa pasur rekomandim, apo konsultë me psikologen dhe neuropsikiatrin për të ndërmarr veprimin e mbylljes pasi që e njëjta ka qenë në terapi të psikiatrit”, ka konstatuar Inspektorati.

Shkelje ligjore janë gjetur edhe në procedurat e observimit nga stafi korrektues dhe plotësimit të formularit të observimit.

“…në formularin zyrtar të observimit të datës 29/30 -12 -2021 nga ora 03:30 minuta deri te ora 08:00 nuk ka pasur observim nga stafi por vetëm plotësim i formularit pa e parë gjendjen fizike të të dëmtuarës, por formulari plotësohet me fjali ‘e qetë, e qetë, fjet, fjet’”, shkruhet tutje në konstatimet e këtij raporti.

Inspektorati gjithashtu ka gjetur se mbikëqyrësi për siguri Agron Krasniqi ka bërë shkelje të procedurave ligjore, pasi i njëjti asnjëherë nuk ka rishikuar kamerat për verifikimin e zbatimit të observimit nga oficerët e krahut ku ishte vendosur e ndjera.

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar që të merren masa disiplinore ndaj, ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, Fatlinda Mustafa, mbikëqyrësit për siguri, Agron Krasniqi dhe oficerëve korrektues që kanë qenë në detyrë gjatë datave 29 dhe 30 dhjetor të vitit 2021.

Raporti lidhur me këto shkelje i ishte dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë më 6 janar të këtij viti.

Mirëpo, një skandal dhe papërgjegjësi e tillë nuk bëri që ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Fatlinda Mustafa të vihej para përgjegjësisë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...