Gjykata Supreme ka liruar nga paraburgimi nëntë zyrtarët e Komunës së Lipjanit, që ishin arrestuar nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Mashtrim”.
Siç mëson Paparaci nga burimet brenda organeve të drejtësisë, Supremja e ka cilësuar të jashtëligjshëm mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim.
Vendimi i Supremes është marrë ditën e sotme. Ndërkohë, ata ishin arrestuar më 23 janar sipas një njoftimi të Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Aksioni i Prokurorisë kishte të bëjë me ndërtimin e një stadiumi të futbollit në fshatin Magure të Lipjanit, që kap vlerën e 300 mijë eurove.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, përveç zyrtarëve komunalë, Prokuroria kishte arrestuar edhe një person përgjegjës i kompanisë.
“Po ashtu, gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një (1) person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë (300.00) euro”.
Në anën tjetër, një ditë pas arrestimit – pra më 24 janar – Gjykata e Prishtinës kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj nëntë të dyshuarve.
Ata dyshohen se kanë keqpërdorur mjetet publike kur është ndërtuar fusha e futbollit atë vendbanim.