Live

Edhe Borrell konfirmon se pati marrëveshje për heqjen e barrikadave, falënderon Kurtin e Vuçiç-in

15:41 / 29 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka njoftuar zyrtarisht se po zhvillon negociata për heqjen e barrikadave në Veri dhe madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i befasuar të mërkurën kur u lirua nga paraburgimi Dejan Pantiç, por përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka shkruar në Twitter duke treguar se si diplomacia u tregua funksionale dhe falënderoj edhe Kurtin për konstruktivitet.

“Diplomacia funksionoi për de-eskalimin e tensioneve në Veri të Kosovës. Dhuna kurrë s’mund të jetë zgjidhje”, shkroi Borrell, duke konfirmuar kështu që ishin përpjekjet diplomatike ato që krijuan një situatë të re në terren dhe mundësuan largimin e barrikadave nga serbët.

Ai madje ka falënderuar veçanërisht liderët e dy vendeve për rolin e tyre në këtë arritje.

“Mirëpres lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti”, shkroi udhëheqësi i politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

“Punë e mrekullueshme ekipore e BE-së, SHBA dhe NATO-s. Faleminderit të gjithëve që u përfshinë”, tha Borrell derisa shtoi se “tani na duhet progres urgjent në dialog”.

16 barrikadat e ngritura nga serbët në Veri, të cilat ruheshin nga persona të armatosur dhe me maska u hoqën vetëm pasi kështu vendosi Aleksandër Vuçiç në një takim me serbët e Kosovës.

Ai, nga Rashka, u tha atyre se ndërkombëtarët ua plotësuan çdo kërkesë që e patën, përfshirë edhe garancinë me shkrim që nuk do të ndiqen penalisht personat me maska, prandaj s’kanë më arsye t’i mbajnë barrikadat.

Qeveria e Kosovës prej ditësh kërkonte nga KFOR-i që t’i heqë barrikadat dhe të mundësojë lëvizjen e lirë, derisa të pyetur përse nuk e bëjnë vetë largimin, thanë se iu kërkua nga KFOR-i që të mos intervenojnë për një kohë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ballafaquar me pyetjen se në të kaluarën qeveritë e Kosovës kanë hequr vetë barrikada, përse nuk u bë edhe tani, tha se “këto barrikada janë më të rrezikshme se të tjerat”.



Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...