Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar se therja e kurbaneve edhe këtë vit do të ndodhë jashtë Kosovës, për shkak se, siç thonë zyrtarët e BIK-ut, në Kosovë nuk ka kushte sanitare për therjen e tyre.
Ahmet Sadriu, sekretar i BIK-u ka njoftuar se therjen e kurbaneve këtë vit do ta kryej kompania “Kosova Farm” në Hungari.
Sadriu ka thënë se Kosova nuk ka kapacitete për therjen e 2 000 gjedheve, prandaj janë të shtrënguar që këtë punë ta kontraktojnë jashtë Kosovës. Ai ka shtuar se përveç kushteve në tregun e Kosovës ka edhe mungesë të gjedheve të cilët kosovarët i konsumojnë në vend të kurbaneve.
Ndryshe, BIK-u e ka caktuar çmimin për kurbanet që do të jetë 120 euro.
Kurban Bajrami do të festohet edhe në Kosovës javën e ardhshme – më datën 11 gusht. Kjo festë është një nga dy festat më të rëndësishme të besimit Islam (Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami) të cilën e festojnë më shumë se 1 miliardë myslimanë në botë.
Kurban Bajrami , sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e profetit Abrahim që ta flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.