Live

“Edhe nëse Veton Berisha e Albert Kinolli e fitojnë rastin në Kushtetuese, nuk bjen as Presidentja e as Qeveria”

12:40 / 30 Mars 2023

Nga Kosova Live

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka dhënë interpretimin e tij në lidhje me ankesën që ka bërë në Kushtetuese ish-deputeti Veton Berisha dhe ka treguar se a mund të sjellë ndryshim të skenës politike një vendim pro tij.

Miftaraj mohon se mund të kemi rrëzim të Presidentes apo Qeverisë, edhe nëse Gjykata Kushtetues i jep të drejtë ish-deputetit të PLE-së.

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkeses së deputeteve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë”

Ai rendit dy arsyet pse nuk mund të ndodhë rrëzimi i Presidentes dhe Qeverisë.

“Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia ‘Romani Iniciativa’ në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin.Sikurse, edhe në rast Gjykata vendos në favor të dy deputeteve, prapë se prapë nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes, pasi që kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së Presidentes së Republikës” deklaroi Miftaraj për “Gazeta Blic”

Miftaraj thotë se rasti konkret nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti.

“Rasti konkret nuk mund të krahasohet me rastin e Qeverisë Hoti. Kjo pasi në rastin e Qeverisw Hoti, procedura kushtetuese ka qenëe iniciuar kundër vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Vlerësimi i mandatit të z. Arifi ka qenë aspekt sekondar, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë. Në rastin konkret, procedura kushtetuese nuk është e drejtuar tek vendimi për përzgjedhjen e presidentes, por vetëm tek mandati i një deputeti, anulimi i të cilit mandat, siç u tha, nuk mund të ketë pasoja me vendimet tanimë të nxjerra” deklaroi Miftaraj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

Ish-deputeti, Veton Berisha, ka deklaruar mbrëmë se po presin tani e dy vite për t’u vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese se ka aptur orkestrim të votave nga Lista Serbe.

“Sa për njoftim të opinionit dhe për shkak se ka kaluar një kohë prej dy vite, me 13 prill bëhen dy vite prej kur e kemi deponuar kërkesën tonë së bashku me ish-deputetin Albert Kinollin për të vërtetuar kushtetutshmërinë për një vendim të dalur nga Gjykata Supreme që doli në atë kohë kur u dha vendimi për orkestrimin e votave. Ky vendim që na po e presim tani nga Kushtetuesja ka të bëj kryesisht me saktësinë ose konstatimin se ka pasur orkestrim të votave nga ana e Listës Serbe dhe nga partitë që kanë qenë bashkëpunuese me Listën Serbe. Tani edhe pas dy vite ende presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese, pa e paragjykuar se çfarë mund të del nga ai vendim.”, ka thënë Berisha dje raporton Gazeta Blic.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...