Shqipëria synon ta ndjekë shembullin e Kosovës në ekstradimin e gylenistëve
në Turqi. Agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” dhe
ajo greke “ANA” i janë referuar ministrit të Brendshëm të Turqisë, Suleyman
Soylu, i cili ka deklaruar se këtë herë ka marrë garanci nga Qeveria shqiptare
se do të marrë masa ndaj përfaqësuesve të FETO-s, raportuan të dielën mediat
nga Tirana.
Të premten ka qenë për vizitë zyrtare në Shqipëri ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, i cili takoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Edhe pse Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk ka bërë të ditur se çfarë është biseduar, mediat turke dhe ato greke kanë pohuar se fokusi i bisedës gjatë vizitës së ministrit të Brendshëm turk në Tiranë ishte Lëvizja FETO.
Duke folur për agjencinë e lajmeve “Ana”, ministri turk i Punëve të Brendshme është shprehur se nga biseda që ka pasur me Ramën dhe Lleshajn për çështjen e gylenistëve ka mbetur shumë i kënaqur.