Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përmendur si i përfshirë në disa takime me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Prokurorët pretendojnë se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri e Gjermani, McGonigal ka dështuar që të tregojë përmes dokumenteve zyrtare amerikane se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një politikan kosovar dhe me disa figura të tjera.
Në një takim, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kishte bërë thirrje kryeministrit shqiptar që të ishte “i kujdesshëm për dhënien e lejeve për nxjerrje të karburanteve në fusha të naftës në Shqipëri ndaj për kompani fiktive ruse”. Thuhet se ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, i cili ia kishte dhënë këtij ish-zyrtari 225 mijë dollarë, kishte interesa financiare në vendimin e qeverisë për ato kontrata.
Pas këtyre akuzave ka reaguar Rama. Ai ka thënë se ka nisur t’i bëhet gjyqi në “Big Brotherin” e politikës në Shqipëri.
“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua (se po të kishin do t’i kishte nxjerrë hetimi i atyre që nuk manipulojnë prova e as kursejnë fajtorë) dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në Big Brotherin e politikës, kanaleve e portaleve!”, ka shkruar Rama.
“Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë nga protagonistët e sojsojshëm të këtij Big Brotheri pambarim! Më pak fjalë dhe akoma më shumë punë e kontakte me njerëzit që kanë punë për të bërë apo punë për të zgjidhur”, deklaroi ai.
“Duhen kuptuar edhe ata që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, ashtu siç duhen kuptuar edhe ata që s’duan të besojnë asgjë tjetër përveç asaj që duan medoemos të besojnë”, përfundon postimi i Edi Ramës.