Live

Edi Rama, zëri më i fuqishëm në mbrojtje të luftës së UÇK-së

17:33 / 05 Nëntor 2022

Nga admin

Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama, ishte zëri më i fuqishëm në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë. Ai gjatë këtij viti i ka mbajtur dy fjalime të rëndësishme, duke kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që raporti i Dick Martyt të kundërshtohet pasi që është “Fake News” dhe e ka nxirë UÇK-në dhe historinë e Kosovës.

Në shtator të këtij viti, kryeministri Rama ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se raporti i Dick Martyt është një trillim dhe fantazi. Rama e cilësoi si tejet të rëndë atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011 për ish-udhëheqësit e UÇK-së, që sot mbahen padrejtësisht në Hagë.

Rama i kërkoi kësaj organizate, që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Martyt, që e ka nxirë qëllimisht UÇK-në, por edhe vetë historinë e Kosovës.

“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Evropës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e Dhomave të Specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifestit kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër. E megjithatë, Dhomat e Specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. Imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme”, kishte thënë Rama.

Shpërndaje në

U Kopjua