Majda Ruge, eksperte e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se roli i Perëndimit në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kritik.
Ndërsa afrohet një takim i kryenegociatorëve javën e ardhshme, analistë vlerësojnë se që kjo marrëveshje të jetë e suksesshme, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qendror.
“Unë mendoj se nëse nuk shohim një ndryshim drastik në nivelin e monitorimit të presionit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara veçanërisht ndaj Serbisë, nuk mendoj se do të shohim shumë lëvizje përpara”, thotë ajo.
Ruge thotë se varet nga interpretimi nëse marrëveshja mund të konsiderohet sukses.
“Pyetja është se cili skenar duket më realist: a bëhet fjalë për dështim, duke pasur parasysh retorikën e udhëheqësve veçanërisht të Aleksandar Vuçiçit, i cili në thelb ka thënë se kjo marrëveshje nuk është arritur, apo duhet marrë për bazë interpretimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas së cilit tani që është bërë pjesë e kornizës së negociatave (të BE-së), kjo do ta shtyjë në mënyrë të pashmangshme Serbinë të angazhohet në përmbushjen e këtyre dispozitave?”, thotë ajo.
Asociacioni është një nga pikat më të nxehta të debatit mes dy vendeve dhe përpjekjeve të perëndimorëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e konsideron atë një përparësi, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se nuk do të lejojë kurrë krijimin e një entiteti me bazë etnike, apo një autonomi territoriale.
Dr. Ruge thotë se ka një arsye se pse kryeministri Kurti nuk ka ndonjë nxitim që t’i ofrojë Serbisë konstruktin institucional të Asociacionit të Komunave që mund të dëmtojë aftësinë e Kosovës për të funksionuar.
“Sepse ai ndoshta nuk po sheh ndonjë sinjal se kjo do të sjellë ndonjë gjë në këmbim, ndoshta nuk sheh që Kosova do të marrë ndonjë gjë para se të angazhohet për një hap të tillë”.
Një nga synimet kryesore të Kosovës është heqja e pengesave nga Serbia për një njohje më të gjerë, një sinjalizim për njohje de facto edhe pse jo de jure (që Beogradi të paktën publikisht nuk ka dhënë shenja se po e bën) dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha javën e kaluar se zbatimi i marrëveshjes do t’i hapte rrugën njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Supozimi është se nëse Serbia bie dakord, që edhe pa e njohur Kosovën, të mos përpiqet që të tjerët ose ta bllokojnë atë të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare, ose nëse në një farë mënyre nuk pengon njohjen ose lobimin kundër njohjes së të tjerëve, kjo mund të realizohet. Por më duhet të them se nuk jam ende optimiste në këtë drejtim”, thotë ajo. /VoA/