Agjencia e Kosovës për Inteligjencë të mërkurën mbeti pa kryeinspektor. Kjo për faktin se Burim Ramadani dha dorëheqje nga ky post.
Në vend të tij është emëruar, Kujtim Shala. Këtë emërim e ka bërë presidentja, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti.
Dyshime se Burim Ramadani është detyruar të dorëhiqet, ka dhënë njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi.
Në një prononcim për Insajderin, Elezi ka deklaruar se në bazë të informatave që ai posedon, Burim Ramadanit i është kërkuar të zgjedh në mes dorëheqjes dhe shkarkimit.
“Kemi informacione që i është kërkuar të jap dorëheqje ose do të shkarkohej. Si kompromis, secili zgjedh dorëheqjen sepse shkarkimi është çështje më e rëndë në aspektin juridik. Andaj edhe Ramadani ka zgjedhur të dorëhiqet”, ka thënë ai.
Elezi pretendon se emrimi i Kujtim Shalë në këtë pozitë është partiak.
“Agjencia Kosovare për Intelegjencë me e përkthy shqip, është komplet në kontroll të zëvendësministrit të mbrojtjes Shemsi Syla, i cili, ka lidhje të largët familjare, me Petrit Ajetin, shef i stafit të ish-ministrit të mbrojtjës, Agim Çeku. Tash, Petrit Ajeti ka insistuar te shoku i tij njëherësh zëvendësministri i mbrojtjes, Shemsi Syla, që në krye të Inspektoriatit ta vendos mikun e tij, Kujtim Shalën”, deklaroi Elezi.
Ai gjithashtu ka theksuar se kjo lëvizje në kohën kur gjendja në Veri të vendit është e rënduar, nuk duhej të ndodhte dhe se duhej të shtyhej të paktën deri në shkurt të vitit të ardhshëm.
Ligji e parasheh që Inspektori i Përgjithshëm i AKI- së t’i raportojë kryeministrit dhe të paktën çdo gjashtë muaj Komisionit Mbikqyrës Parlamentar.
Ka mandat katërvjeçar që mund të zgjatet edhe për katër vite të tjera.