Për të shpëtuar nga paraburgimi, Elvis Kelmendi ka vendosur të tregojë emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve nga BeH dhe rajoni.
Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës, pas deklaratës së narkodilerit Elvis Kelmendi, i cili kishte pranuar të bashkëpunojë me prokurorët, tashmë është duke e zgjidhur një mozaik dhe po përgatitë aktivitete të reja, shkruan gazeta boshnjake “Dnevni Avaz”.
Siç e kemi publikuar edhe më herët, Kelmendi ka vendosur të “këndojë” për të shpëtuar nga paraburgimi, por edhe nga një proces i vështirë gjyqësor. Ai është liruar nga burgu Vojkoviqi për t’u mbrojtur nga liria, me masa ndaluese, më saktësisht me ndalim të daljes nga vendbanimi (arrest shtëpiak), shkruan tutje gazeta.
Në këmbim të lirisë, Kelmendi në tri raste u ka dhënë prokurorëve emrat e njerëzve me të cilët ka punuar, jo vetëm nga mjedisi i krimit, por edhe nga policia e Bosnjës dhe Hercegovinës, të gjyqësorit…
Ky është një nga arsyet pse disa individë janë në panik, veçanërisht në organet e policisë. Tashmë shumë pjesëtarë të policisë janë interesuar për dëshminë e tij, për të parë se për çfarë ka folur, transmeton Paparaci.
Mirëpo, Kelmendi para se të gjithash i ka “tradhtuar” bashkëpunëtorët e tij, të arrestuarit Ajlin Ahmiq dhe Anel Sejfoviq. Tri ditë më parë atyre iu është zgjatur paraburgimi edhe për tre muaj. Pas dëshmisë së tij është arrestuar edhe Adi Nukiq, po ashtu pjesëtar i këtij grupi.
Kelmendi i ka zbuluar dhe emrat e bashkëpunëtorëve të tjerë. Nga Aleksandar Nikoliqi, me të cilin ka kontraktuar punët përmes aplikacionit Sky, e deri te Mirza Gaçanin, përmes të cilit kanë importuar kokainë nga Holanda në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ai ka dhënë edhe emrat e personave nga strukturat e policisë, gjyqësorit dhe prokurorisë. Nga OSA (Shërbimi i inteligjencës së BeH), SIPA (Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje të BeH), e deri te Prokuroria e BeH. Pa mbrojtje, grupi i Kelmendit nuk do mund të importonte drogë dhe të shiste. Sasi të caktuara madje kanë arritur edhe në parkingun e një hoteli të njohur.
Këtë, ndër të tjera, e ka përmendur edhe prokurori Xhermin Pashiq në një seancë gjyqësore.
Ai gjatë hetimeve ka thënë se kanë ardhur deri te informacioni që i ka tronditur, siç janë lidhjet e personave të caktuar nga institucionet e drejtësisë dhe policisë, të cilët kanë njoftuar anëtarët e këtij grupi kriminal për hetimet.
Prokuroria e BeH dyshon se Kelmendi, Ahmiqi dhe Sejfoviqi, të cilët kanë përdorur aplikacionin Sky, për import dhe shitje të heroinës, kokainës, speed dhe marihuanës nga Shqipëria, Turqia, Holanda dhe Mali i Zi. Bëhet fjalë për kilogramë dhe kanë fituar miliona nga importi dhe shitja. Për të njëjtën akuzohet edhe Nukiq, përcjell Paparaci.
Anëtarët e këtij grupi, për të cilin ka folur, kanë qenë edhe Dragan Gajiq dhe Vllatko Bllazheviq, të cilët gjithashtu kanë pasur aplikacionin Sky.
Prokuroria ka edhe emrat e personave nga Mali i Zi të cilët kanë bashkëpunuar me Kelmendin.
Ka pasur mbrojtje
Për momentin, për shkak të vetë hetimeve, emrat e personave nga drejtësia dhe policia që kanë bashkëpunuar me këtë grup janë duke u fshehur. Kelmendi, në të vërtetë, vetëm ka konfirmuar në Prokurori atë çfarë pothuajse e dinin – se anëtarët e këtij grupi mbroheshin nga individë të gjyqësorit dhe se në këmbim këta persona kishin përfitime të mëdha financiare.
Por, ndërsa aplikacioni Sky po zbërthehet gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shumë zyrtarë policorë dhe funksionar të gjyqësorit po dalin të përfshirë.
Policët po bien, një gjykatës është arrestuar, prokurorët janë në radar
Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës deri më tani ka “kapur” dhjetëra policë që bashkëpunonin me mafien e drogës.
Lëmshi ka filluar të zbërthehet në aksionin “Transportuesi”, gjegjësisht me arrestimin e Bojan Cvijetiqit, këshilltarit të Dragan Mektiqit, ish-ministër i Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili kishte me vete edhe informacione konfidenciale të OSA-së.
Më pas është arrestuar zyrtari i MPB-së Mirosllav Çalija, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i Millan Matkoviqit nga Trebinja.
Është arrestuar edhe Mlladen Millanoviq, anëtar i MPB-së së Republikës Serbe, i cili është anëtar i grupit të Cvijetiqit.
Pak kohë më pas, pas deshifrimit të aplikacionit Sky, u arrestua edhe polici kufitar Vlladan Kovaçeviq. Kohë më parë është arrestuar edhe një pjesëtar i Policisë Kufitare, Millosh Lukajiq, si dhe kreu i OSA-së në Banjallukë, Robert Radonjiq, nën dyshimin se kanë zbuluar sekrete kriminelëve. Përveç tij, është arrestuar edhe Nedelko Llubura, kryeinspektori i MPB-së së Republikës Serbe.
Edhe anëtarët e Drejtorisë për Koordinimin e Organeve Policore (DKPT) të BeH, Millosh Nikoliq dhe Millosh Popovac janë arrestuar për shkak të lidhjeve të tyre me kriminelët dhe trafikun e drogës.
Së fundmi është arrestuar edhe polici kufitar Shaban Kudo, i cili dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarit në operacionin “Pëllumb”. Bëhet fjalë për grupin e Bllazhenko Rasheviqit, i cili po ashtu bënte kontrabandë me lëndë narkotike.
Para tre muajsh u arrestua edhe gjyqtari nga Bijeljina, Jovan Saviq, i cili u jepte informacione kriminelëve.
Të fundit në radhë janë Fahrudin Gaçanoviq, ish-anëtar i SIPA-s dhe anëtar aktual i Drejtorisë për Koordinimin e Organeve Policore të BeH-së dhe Adis Prashoviq, inspektor i lartë i krimeve në MPB, përfundon gazeta boshnjke “Dnevni Avaz”.